Ndëshkohet policia, ndaloi dy çifte të udhëtonin drejt Kubës
TIRANË- Aventura e dy çifteve nga Pogradeci që nuk u lejuan të udhëtonin në drejtim të Havanëspërfundoi dje në gjykatë me "ndëshkimin" e komisariatit të Rinasit. Ata u nisën mëngjesin e 13 nëntorit të vitit 2006 për në Rinas, nga ku do të fluturonin për disa ditë pushime në Havana të Kubës, por përfunduan në ambientet e komisariatit të aeroportit si të dyshuar për trafik klandestinësh. Gjykata e Tiranës vendosi dje në favor të pushimeve të pashijuara, duke dënuar komisariatin e Rinasit të dëmshpërblejë çiftet vetëm me pagimin e biletave në shumën totale 4350 euro. Paraditen e djeshme, togat e zeza të kryesuara nga gjyqtarja Mimoza Kajo vendosën pranimin e pjesshëm të kërkesë -padisë së paditësve, duke dënuar policinë me gjobë, në shumën e biletave të avionit drejt Havanës.
***
Gjykata e Tiranës vendosi dje që komisariati i Rinasit t'i paguajë secilit prej paditësve dëmin e shkaktuar nga veprimet e gabuara, 1085.54 euro për secilën biletë të djegur Rinas-Havana dhe anasjelltas, duke i vlerësuar veprimet e gabuara dhe të pambështetura në ligj të punonjësve të policisë të aeroportit të Rinasit. Ndërkohë, gjykata rrëzoi pretendimet e tjera, ku paditësit nga Pogradeci kërkuan që komisariati i Rinasit t'i detyrohej edhe për pagesën e dëmit moral që kap shifrën e 20 mijë dollarëve amerikanë, pasi sipas paditësve, punonjësit e policisë së komisariatit i kanë fyer dhe poshtëruar, duke i quajtur të dyshuar për trafik klandestinësh,me viza të parregullta. Ndërkohë, ky pretendim nuk është marrë parasysh nga gjykata, edhe pse paditësit, gjatë fazës së gjykimit të çështjes dëshmuan se agjentët e policisë së Rinasit i kanë fyer. Sipas dëshmisë së njërit prej tyre, Ilir Berberit, dhënë para gjykatës thuhet se: "shefja e turnit në aeroportinRinasit, pa i parë dokumentet e udhëtimit më është drejtuar duke më quajtur të dyshimtë. Pse nuk je rruar? Kujt do t'ia hidhni ju? Ju do shkoni në Amerikë dhe doni të gënjeni sikur doni të shkoni në Kubë. Nuk ju lëmë të kaloni, kthehuni mbrapa",-thuhet ndër tjera në pjesën e dëshmisë së tij.
***
Sipas kërkesë- padisë, dy çiftet nga Pogradeci, para se të niseshin për në Rinas, kishin marrë vizat në ambasadën kubaneze në Beograd. Pas përpjekjeve 5- mujore për t'u pajisur me vizë turistike, atau ndaluan në Rinas mëngjesin e 13 nëntorit 2006, ku u mbajtën për disa orë në komisariat. Pas këtij ndalimi, dy biznesmenët e ndërtimit të qytetit të Pogradecit, së bashku me dy bashkëshortet e tyre, pas sorollatjeve të shumta për marrjen e dëmshpërblimit nga Ministria e Financave për harxhimet e bëra, i janë drejtuar Gjykatës me një kërkesë- padi kundër komisariatit të policisë së Rinasit, duke kërkuar 20 mijë dollarë dhe 5 mijë euro si "dëmshpërblim". Sipas vendimit, në nëntor të vitit të kaluar, Ilir Berberi, Dritan Hoxhallari dhe bashkëshortet e tyre, Eriketa Hanolli e Blerina Poçe, kishin siguruar dokumentacionin e nevojshëm për të udhëtuar drejt Kubës. Pasi kanë paguar edhe biletat e udhëtimit vajtje-ardhje, dokumentacioni i tyre ka qenë krejtësisht i plotë. "Me dokumentet në dorë, dy çiftet i janë drejtuar sportelit të policisë kufitare shqiptare të Rinasit. Në momentin që do të dorëzonim pasaportat dhe biletat e udhëtimit, shefja e shërbimit të turnit, i ka ndaluar, ndërsa ata kanë humbur avionin.