E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertiza e FBI del e parregullt

Armando Kasaj, specialisti i IT në Kryeministri

Filmimet e 21 janarit, Gjykata e Shkallës së Dytë la të lirë ekspertin e IT së Kryeministrisë.

Serveri i qeverisë, Apeli: Në dosje ska vendim për ekspertimin.

Gjykata e Apelit ka vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e ekspertimit të kryer nga FBI-ja të serverit të Kryeministrisë në lidhje me pamjet filmike të ngjarjes së 21 janarit 2011. Më 10 shkurt, Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Apelit kyçjen në qeli të Armando Kasajt, specialistit të IT-së së Kryeministrisë, duke u bazuar në përfundimin e ekspertëve të FBI-së se pamjet filmike të 21 janarit ishin kopjuar e më pas fshirë. Si autor të këtij veprimi, organi i akuzës e drejtonte gishtin te specialisti Armando Kasaj. Por, Prokuroria nuk ka paraqitur para Gjykatës vendimin për kryerjen e këtij akt-ekspertimi. Fakti bëhet i ditur në vendimin gjyqësor të Gjykatës së Apelit Tiranë që liroi nga arresti shtëpiak personin në hetim, Armando Kasaj. Sipas vendimit, një kopje e të cilit u sigurua nga gazeta, përpara Gjykatës së Apelit nuk është paraqitur vendimi për kryerjen e ekspertimit kompjuterik të serverit të Kryeministrisë nga ana e FBI-së. Në vendim thuhet se, vendimi i ekspertimit vetëm citohet nga ana e Prokurorisë, por se në dosje nuk është pasqyruar dhe nuk është administruar një akt i tillë procedural, çka vë në dyshim vlefshmërinë e këtij akti mjaft të rëndësishëm. Në vijim paraqitet argumentimi i treshes së Apelit të kryesuar nga gjyqtari Artan Broci, në lidhje me ndryshimin e masës së sigurisë së Kasajt nga arrest shtëpie në detyrim për paraqitje referuar vendimit.
MUNGESA E AKT-EKSPERTIMIT
Kolegji Gjyqësor i Gjykatës së Apelit çmon se Gjykata e Rrethit ka gabuar në caktimin e kësaj mase sigurimi (masës arrest shtëpiak). Nga aktet në dosje është e vërtetë se Prokuroria ka administruar aktin e ekspertimit nr. 163G-SP-215, datë 13.08.2011, të kryer nga Departamenti i Drejtësisë, Byroja Federale e Hetimit, Laboratori i Provave Dixhitale, por në dosjen gjyqësore të paraqitur prej organit të akuzës përpara gjykatës nuk ka një vendim për kryerjen e këtij ekspertimi. Një vendim i tillë citohet vetëm në faqen 3, në shkresën përcjellëse të drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit me nr. 4488 prot., datë 06.06.2011, në të cilën thuhet se bashkëlidhur përcillet dhe vendimi i ekspertimit teknik kompjuterik i datës 05.05.2011, por se në dosje nuk është pasqyruar dhe nuk është administruar një akt i tillë procedural, çka vë në dyshim vlefshmërinë e këtij akti mjaft të rëndësishëm në kuptim të nenit 151/4 të Kodit të Procedurës Penale. Gjykata e Apelit Tiranë çmon sa më sipër se, vendimi i Gjykatës së Faktit nuk është në përputhje me kriteret e parashikuara nga nenet 228.229 të Kodit të Procedurës Penale.
MASA
Gjithashtu, nisur nga rëndësia e faktit dhe rrezikshmëria shoqërore e veprës, masa e sigurimit e vendosur nga Gjykata e Faktit është e papërshtatshme. Pretendimet e parashtruara në kërkesën ankimore nga ana e organit të akuzës janë të pabazuara përsa i takon caktimit të masës së sigurimit arrest në burg dhe si të tilla, nuk duhet të pranohen, ndërsa pretendimet e tjera u morën parasysh nga ana e kësaj gjykate sa më sipër u shpjegua, kurse ato të parashtruara nga ana e personit në hetim janë të drejta dhe duhet të pranohen. Në rastin konkret, nuk vihet në rrezik marrja ose vërtetësia e provës, apo nuk provohet rreziku i ikjes për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit, si dhe të veprës që i atribuohet. Kolegji çmon se masa e caktuar është e papërshtatshme. Sipas këtyre dispozitave, në caktimin e masave të sigurimit, Gjykata e Faktit nuk ka mbajtur në konsideratë përshtatshmërinë, raportin me shkallën e nevojave të sigurimit, me rëndësinë e faktit dhe sanksionit që parashikohet në rastin konkret, si edhe rrethanat lehtësuese rënduese. Për sa më sipër, çmohet se ka vend që të vendoset ndryshimi i kësaj mase sigurimi në një masë më të butë, siç është ajo e detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore.

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›