E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmet, grabit çiftin me maskë e armë lodër

PERMET- Grabiti çiftin me armë lodër, arrestohet një 44-vjeçar nga qyteti i Përmetit. Sipas Policisë, Ardian Liço, i dënuar më parë me 16 vjet burg për vrasje, ka grabitur me dhunë një çantë me 5 mijë lekë. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 të së enjtes, kur Liço i maskuar dhe me një pistoletë lodër në dorë, ka kërcënuar çiftin, pronarë të një fast-food-i se do ti qëllonte me armë nëse ata nuk do ti dorëzonin fitimet e ditës. Duke përfituar edhe nga errësira, ai ushtroi dhunë mbi bashkëshortët, pasi këta të fundit refuzuan të dorëzonin të hollat. Më pas, 44-vjeçari mundi ti rrëmbejë nga dora shtetases A.TH. çantën me pesë mijë lekë, brenda së cilës kishte edhe një aparat celular, si dhe sende të tjera personale. Por, ai nuk është ndalur me kaq, pasi tentoi ti marrë çantën edhe të shoqit, shtetasit I.TH., në të cilën, sipas dëshmisë së dhënë pas ngjarjes në polici, ka pasur 1 milion lekë. Ai ka arritur ti bëje rezistencë, por gjatë përleshjes Liços i ka rënë nga dora pistoleta. Në këtë moment është larguar me shpejtësi, ndërsa pronarët e fast-food-it sinjalizuan policinë. Blutë mbërritën në vendin e ngjarjes dhe sekuestruan armën, e cila rezultoi të ishte lodër. Çifti ka dhënë dëshminë për grupin e hetimit, por për shkak se autori ishte i maskuar, ata kanë mundur të japin vetëm përshkrimet trupore, pa arritur dot ta identifikojnë. Blutë nisën hetimet dhe në sajë të metodave speciale u arrit të identifikohej dhe të kapej autori i dyshuar i grabitjes.                                       p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›