Skeja spranon pajtimin në Gjykatë, vëllai i Dedës, dëshmi në Prokurori

Viktima, Hekuran Deda
TIRANE Gardisti Fatos Skeja nuk pranon zgjidhje me pajtim të padisë së tij për shpifje kundër Zabit Dedës, vëllait të Hekuran Dedës, një prej viktimave të demonstratës së 21 janarit 2011. Po dje, në Prokurorinë e Tiranës është marrë në pyetje shtetasi Zabit Deda, vëllai i Hekuran Dedës. Ai dëshmoi në organin e akuzës për një padi që ka bërë ndaj gardistit Skeja. Gjatë dëshmisë, Deda tha se u qëndron akuzave që ka bërë në padinë penale. Ndërkohë, gardisti i është drejtuar gjykatës pas disa deklaratave publike të Dedës, se Skeja u kishte shkuar në shtëpi pas 21 janarit dhe u ka ofruar para e foton e vrasësit në këmbim të një vizite të Kryeministrit në banesën e tyre. Dje, Gjykata e Tiranës kaloi nga seancë përgatitore në seancë gjyqësore këtë çështje. Burime pranë Gjykatës sqaruan se gjykata kishte ezauruar kërkesën për zgjidhjen e çështjes me pajtim, gjë që nuk ishte pranuar nga pala paditëse. Në seancat në vijim, gjykata do të marrë në shqyrtim provat që do të paraqiten nga palët, për të provuar pretendimet e palëve. Kërkesë-padia e Fatos Skejës kundër Zabit Dedës u regjistrua në Gjykatën e Tiranës më 19 janar 2012. Skeja kërkon dëmshpërblim me 5 milionë lekë për shkak të dënimit të shkaktuar nga thëniet publike, sipas tij të pavërteta, të Zabit Dedës. Detyrimi i të paditurit të më shpërblejë për dëmin e shkaktuar në shumën 500 000 lekë. Detyrimi i të paditurit të publikojë një përgënjeshtrim të intervistës së dhënë në News 24 dhe në tre nga gazetat me shpërndarjen më të madhe në vend. Kjo padi e gardistit u ndoq nga një e dytë po prej tij kundër familjes Deda. Më 5 mars, Gjykata e Tiranës regjistroi një tjetër padi të Fatos Skejës, ku i paditur ishte vëllai tjetër i viktimës Hekuran Deda, Hilmi Deda. Skeja e paditi Hilmi Dedën për të njëjtat deklarata si ato të vëllait tjetër, por të thëna për një tjetër televizion. Në këtë padi, që pritet të shqyrtohet në Gjykatën e kryeqytetit, Skeja kërkon si dëmshpërblim një shumë prej 2 milionë lekësh. Kjo kërkesë-padi e dytë erdhi vetëm pak ditë pasi vëllezërit e Hekuran Dedës, mes të cilëve edhe Hilmi Deda, depozituan në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal kundër Fatos Skejës. Sipas vëllezërve Deda, Skeja kishte dijeni mbi autorin e vrasjes së vëllait të tyre.