Pronari i diskos u vra për 30 mijë lekë

Viktima Almir Cani
Konflikti pasi Almir Cani u kërkoi autorëve ti bënin presion një biznesmeni për një borxh të pakthyer.
Zbardhet ngjarja, arrestohen dy vëllezër nga Elbasani, miq të viktimës.
Pronari i diskos Te-kila në Elbasan u vra për 30 mijë lekë. Ky është versioni i Policisë për ngjarjen e rëndë që ndodhi më 23 shkurt të këtij viti, pasi arrestoi mëngjesin e djeshëm dy vëllezër si autorë të dyshuar të krimit. Mësohet se të arrestuarit janë shtetasit Olti Lamçja, 23 vjeç dhe Florian Lamçja, 22 vjeç, nga Elbasani. Ata dyshohet se janë autorë të vrasjes së 37-vjeçarit Almir Cani. Burime të Policisë bënë të ditur se dy vëllezërit ishin shokë me viktimën, ndërsa ngjarja e ka zanafillën pas një konflikti të hershëm për një shumë parash prej 30 mijë lekësh. Edhe të arrestuarit kanë pohuar se e njihnin pronarin e diskos Tekila, por kanë mohuar akuzën e vrasjes.
Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se konflikti midis viktimës dhe dy autorëve të dyshuar për vrasjen ka nisur disa muaj më parë. Almir Cani dhe nipi i tij, që ishte mjeshtër në përpunimin e drurit, kishin punuar tek një biznesmen në Elbasan shkallët e brendshme të një objekti. Pas punës së kryer, biznesmeni, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga Policia, i detyrohej nipit të Canit një sasi prej 300 mijë lekësh. Ai e kishte vonuar pagesën, ndonëse 37-vjeçari Cani dhe nipi i tij ia kishin kërkuar disa herë. Duke parë vështirësinë në marrjen e parave, Cani kërkon ndihmën e dy vëllezërve të cilët njiheshin në qytet si problematikë, dhe të skeduar edhe si përdorues droge. Ai iu ka kërkuar vëllezërve Lamçja që ti bënin presion biznesmenit dhe tia merrnin paratë që i detyrohej për punimin e shkallëve të drunjta. Në rast se ata do të arrinin tia merrnin shumën e parave porositësit të drurit, pronari i diskos u kishte premtuar si shpërblim 30 mijë lekë.
Gjatë hetimit të kryer, ka rezultuar se dy vëllezërit e kanë kërcënuar disa herë biznesmenin elbasanas derisa e kanë detyruar atë tia kthejë hakun e punës nipit të Almir Canit. Pasi dy të rinjtë janë vënë në dijeni të këtij fakti, kanë shkuar tek 37- vjeçari dhe i kanë kërkuar paratë që iu kishte premtuar. Por, ai u kishte mohuar në mënyrë të vazhdueshme që të kishte marrë paratë. Ndërkohë, në mbrëmjen e 23 shkurtit të këtij viti, nën efektin e drogës, dy vëllezërit Olti dhe Florian Lamçja kanë kërkuar me telefon Almir Canin. Ata i kanë shkuar poshtë shtëpisë, ku viktima kishte dalë ti takonte, por 37-vjeçari, baba i një fëmijë, është qëlluar me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Pas ekspertizës së kryer rezultoi se ai ishte qëlluar me 2 plumba në kokë. Të dyshuarit për vrasjen, pasi e qëlluan për vdekje, morën gëzhojat e armës në tokë, si edhe celularin që Cani e kishte në dorë. Ndërkaq, Policia mundi të zbardhë kapjen e autorëve të dyshuar në bazë të tabulateve telefonike të numrit që dispononte viktima. Gjatë kësaj kohe janë marrë në pyetje edhe familjarë e të afërm të tij, të cilët kanë dhënë detaje të rëndësishme për grupin hetimor. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale edhe një automjet tip Benz, me targë EL 21 23 C, si edhe telefonat e tyre celularë, ndërsa ende nuk është gjetur arma që dëshmon përfundimisht autorësinë e vrasjes së pronarit të diskos.
300 mije leke lekë i kishte një biznesmen elbasanas nipit të viktimës. Ai i kishte kryer një punim druri, por pas punës nuk kishte arritur të merrte hakun e punës. Kjo e kishte shtyrë Canin të kërkonte ndihmën e dy vëllezërve për ti marrë paratë.
Vrasja, dy vëllezërit e thirrën me telefon
Pronari i disko Tekila në Elbasan u ekzekutua me dy plumba në kokë mbrëmjen e 23 shkurtit të këtij viti. Autorët e kanë thërritur atë me telefon duke e nxjerrë jashtë banesës nga ku më pas e kanë vrarë me dy plumba. Autorët arritën të fshehin mjaft prova të vendit të ngjarjes, përfshirë edhe gëzhojat, si dhe telefonin celular të viktimës. Gjatë gjithë kësaj kohe, grupi hetimor ka marrë në pyetje persona të shumtë, të afërm e miq të 37-vjeçarit, dëshmitë e të cilëve i kanë çuar dyshimet për autorësinë tek dy vëllezërit e arrestuar, Olti dhe Florian Lamçja.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU