Mbushet Porto Romano, ska më vend për plehrat

Tryeza e organizuar dje për mjedisin në Durrës
DURRES/ Djegia krijon re të madhe toksike, bashkia kërkon landfill.
“Fusha e hapur e depozitimit të mbetjeve urbane në Porto Romano ka degraduar dhe po kthehet në rrezik serioz për jetën e banorëve, ndaj duhet ndërhyrje urgjente për hapjen e një landfilli. Alarmin e dhanë dje përfaqësues të Bashkisë së Durrësit në një tryezë të përbashkët me ekspertë të mjedisit e aktorë të tjerë të qytetit, para se Këshilli Bashkiak të marrë në shqyrtim projektbuxhetin e vitit 2012. Në takimin e organizuar nga Këshilli Bashkiak dhe Zyra e Transparencës Qytetare (degë e qendrës CIP), në Durrës, kryetari i Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti, u shpreh se “ne si Këshill nuk kemi pasur asnjë hezitim për të bërë më shumë për mjedisin”. Ai ftoi ekspertët e fushës dhe të pranishmit që të bëjnë propozime konkrete për këtë problem që shqetëson të gjithë qytetin e zonat përreth. Drejtori i Zyrës për Transparencën Qytetare u shpreh se qytetarët durrsakë kanë të drejtë të informohen për çdo gjë që shqyrtohet në Këshillin Bashkiak, ndërkohë që kërkoi që ky Këshill të bëjë sa më parë të ditur masat në plane afatshkurtra dhe afatmesme për fushën e mjedisit. Në lidhje me gjendjen e mjedisit në Durrës përfaqësuesit e Bashkisë deklaruan se çdo ditë në fushën e hapur të mbetjeve urbane në Porto Romano depozitohen rreth 430 metra kub plehra. Sipas tyre, gjendja në këtë fushë është shumë alarmante. Drejtori i Shërbimeve Publike në Bashkinë e Durrësit, Besnik Kërtusha, nënvizoi se situata do të vijojë të jetë e njëjtë, për shkak se propozimi për rritje të tarifave për pastrimin nuk u miratua për vitin 2012. Ai paralajmëroi se të gjithë qytetarëve që nuk paguajnë tarifën e pastrimit do t’u ndërpritet ky shërbim nga ana e Bashkisë. Më tej, ekspertë dhe përfaqësues të ndërmarrjeve të riciklimit theksuan se kërkohet një ndërgjegjësim më i madh i qytetarëve për ndarjen e mbetjeve të riciklueshme, pasi nga mbetjet e një ditë që hidhen në Porto Romano ka një sasi prej 10-15 tonësh materiale të riciklueshme, si karton, plastike dhe materiale druri. Në lidhje me menaxhimin e mbetjeve urbane Bashkia e Durrësit, së bashku me njësitë e tjera vendore po punon për ngritjen e një landfilli të ri rajonal, i cili të zgjidhe përfundimisht gjendjen e krijuar. Por, sipas këshilltarëve bashkiakë, ata janë në gjendje të investojnë vetëm një pjesë të këtij financimi, pasi ta kenë miratuar më parë në projektbuxhetin e 2012-s. Çdo ditë në fushën e mbetjeve në Porto Romano derdhen rreth 400 metra kub plehra dhe kjo fushë brenda një kohe të shkurtër nuk do të ketë më vend për grumbullimin e tyre. Problematike është situata për sa i përket mungesës së riciklimit të mbetjeve urbane në Durrës, ndërsa vendgrumbullimi i plehrave konsiderohet pika më e nxehtë mjedisore, për shkak se plehrat digjen në natyrë, duke shkaktuar re të mëdha toksike që përhapen në të gjithë qytetin.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ