E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, tetë ekspertë do të dëshmojnë para gjykatës

SHKRUAN: Leonard Bakillari 15-02-2011 10:49

Tiranë- Të paktën tetë ekspertë që kanë hetuar teknikisht gjithë procesin e fabrikës së demontimit të predhave në Gërdec do të thirren si dëshmitarë në procesin gjyqësor ndaj 29 të pandehurve për këtë çështje. Vendimi është marrë mesditën e djeshme nga trupi gjykues i çështjes, pasi avokatët kërkuan që ekspertët e pavarur, që kanë përpiluar disa akte të rëndësishme të çështjes, duhet të vijnë në gjykatë për t’i shpjeguar ato. Disa prej avokatëve mbrojtës kërkuan si dëshmitarë edhe 6 ekspertët e ATF-së, të cilët kanë punuar për disa ditë me radhë në vendin e ngjarjes, duke përcaktuar edhe të paktën pesë shkaqe që mund të kenë shkaktuar tragjedinë e 15 marsit të vitit 2008. Për këtë kërkesë, trupi gjykues vendosi të shprehet në një moment të dytë, pasi gjykata të dëgjojë shpjegimet e ekspertëve vendas, që kanë sqaruar për llogari të hetimit dëmet ekonomike të shkaktuara dhe mënyrën e organizimit të ushtrisë për këtë çështje. Sipas gjykatës, vendimi për të thirrur ose jo ekspertët e ATF-së, në cilësinë e dëshmitarëve në këtë proces gjyqësor, do të merret pas sqarimit të ekspertëve vendas, ku do të shihet nëse është e nevojshme edhe prania e ekspertëve amerikanë. Kërkesa e avokatëve mbrojtës u bë pasi përfaqësuesit e akuzës lexuan në gjykatë tre akt-ekspertimet, që kanë të bëjnë me vendin e ngjarjes, ku janë pasqyruar edhe shkaqet e shpërthimit; akt-ekspertimi mbi dëmet ekonomike të shkaktuara nga procesi i parregullt dhe shpërthimi, si dhe ekspertimi tekniko-ushtarak. Sipas avokatëve, disa koncepte apo terma të përdorura në këto akt-ekspertime, janë të paqarta dhe për këtë arsye, ato duhet të sqarohen para palëve dhe gjykatës, nga vetë ekspertët që i kanë hartuar ato. Më herët, dy nga avokatët mbrojtës bënë një tjetër kërkesë në sallën e gjyqit, sipas të cilës kreu i trupit gjykues, Ridvan Hado duhet të përjashtohej nga gjykimi i kësaj çështje. Sipas raportit të lexuar nga prokurorët, citohen të gjitha rregullat ushtarake që nisin që nga transporti e deri te demontimi, që sërish sipas raportit tekniko-ushtarak është bërë pa pasur një grafik mbi kalibrin e municioneve që duhet të demontoheshin. Një seancë më parë, në gjykatë u lexua akt-ekspertimi i agjentëve amerikanë të ATF-së, mbi shkaqet e shpërthimit të fabrikës së Gërdecit. Sipas këtij raporti, ngjarja e rëndë mund të jenë shkaktuar nga 5 arsye, ku më e besueshmja është ajo e një karroce të salduar, vetëm pak minuta para shpërthimit. Të pranishëm në seancën e djeshme kanë qenë të pandehurit Ylli Pinari e Sokol Ngjeçi, të cilët nuk kanë munguar thuajse në asnjë seancë gjyqësore, që prej nisjes së procesit në qershor të vitit 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›