Ekspertiza për Elezajn, hetim mjekëve ligjorë
Tiranë- Menjëherë pasi policia konstatoi largimin nga banesa të të dyshuarit kryesor për mashtrimin me naftën virxhin, Prokuroria e Përgjithshme paralajmëroi një hetim të gjerë për këtë çështje, duke u shprehur e vendosur për zbardhjen e ngjarjes. Në deklaratën e shpërndarë për mediat pasditen e djeshme organi i akuzës tha se fillimisht do të verifikohen rrethanat e largimit të Elezajt nga banesa si dhe konfirmoi faktin se tashmë ka nisur një hetim për këtë çështje. “Kur i hetuari Hajri Elezaj është ndër personat kryesorë në hetimin mbi çështjen e kontrabandës së naftës Virgine, Prokuroria Tiranës ka nisur verifikimet për vendndodhjen e të hetuarit”- tha organi qendror i akuzës. Por jashtë vëmendjes së Prokurorisë nuk do të lihen as mënyra se si u zëvendësua masa e sigurisë për Hajri Elezajn, pasi akuza qendrore paralajmëroi se për këtë çështje do të ketë një hetim të thellë dhe gjithëpërfshirës. Sipas Prokurorisë pjesë e verifikimeve dhe hetimit të mëpasshëm do të jenë edhe kushtet dhe rrethanat që çuan në zëvendësimin e masës së sigurimit biznesmenit Elezaj. “Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet për personat që kryen aktin e ekspertimit mjeko-ligjor të gjendjes së tij shëndetësore si dhe për përgjegjësitë mbi zbatimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” të shtetasit Hajri Elezaj”- tha zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme, duke lënë të kuptohet se pjesë e këtij hetimi do të jenë mjekët e caktuar nga gjykata, si dhe punonjësit e policisë të ngarkuar për ruajtjen e Elezajt gjatë kohës që ai ndodhej në masën e sigurimit “arrest shtëpie”. Në fund të deklaratës organi qendror i akuzës shpreh vendosmërinë për një hetim të thellë dhe të gjerë mbi gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal