Fqinjët e viktimës: Si e mësuam vdekjen e Sokolit
Tiranë- Banorët e zonës pranë shkollës “1 Maji” janë të shokuar nga ajo çfarë ka ndodhur mëngjesin e së premtes. Shumë prej tyre shprehin habinë, disa të tjerë bëjnë kryqin përpara lajmërimit për vdekjen e 34- vjeçarit Sokol Doçi dhe shpejtojnë për të ngushëlluar të afërmit. Disa banorë të zonës tregojnë se Sokoli ishte njeri shumë i qetë dhe se kurrë nuk ishte përzier me probleme ose konflikte. “Ishte një djalë shumë i qetë dhe i respektueshëm. Nuk ngatërrohej me njeri në lagje, por shikonte punën e vet. Kur mora vesh se çfarë ndodhi, u tmerrova, pasi janë një familje shumë e nderuar” – tregon një e moshuar pak metra larg banesës së familjes Doçi.
Copat e xhamit të thyer të makinës dhe shiritat “Skenë krimi” të policisë janë ende pranë vendit ku ndodhi ngjarja, ndërsa sheshi përpara pallatit ku ndodhet shtëpia e familjes Doçi është e mbushur me të afërm dhe miq. Askush prej tyre nuk pranon që të prononcohet dhe të thotë diçka në lidhje me ngjarjen, por me sytë e skuqur largohen. Disa fqinjë të familjes Doçi tregojnë se ai jetonte në një banesë në katin e katërt, së bashku me nënën e tij, ndërsa dy vëllezërit i kishte në Amerikë. “Mesa dinim ne, ishte avokat. Jetonte me nënën e tij, ndërsa dy vëllezërit me të mëdhenj i kishte në Amerikë. Ishte dhe i fejuar. Nuk di çfarë të them për ngjarjen, pasi unë isha në gjumë dhe vetëm kur dëgjova zhurma, mora vesh se çfarë kishte ndodhur” – tregon fqinja e familjes Doçi. Ndërsa një tjetër fqinj shprehet se nuk ka dëgjuar asnjë krismë dhe se vetëm në mëngjes ka marrë vesh për vrasjen e Sokol Doçit.