E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, 50 kg drogë në autobusin e Greqisë



KORçE - Një sasi prej 50 kilogramë lëndësh narkotike kanabis sativa u sekuestrua dje në doganën e Kapshticës. Policia bëri të mundur edhe arrestimin e dy transportuesve të mallit, një 26- vjeçar nga Tirana dhe një 24- vjeçar, emigrant në Greqi. Policia bëri të ditur, se ka qenë sektori i luftës kundër krimit të organizuar, i cili kreu aksionin për kapjen e sasisë së drogës dhe dy trafikuesve të saj. "Bajram Daipi, 26-vjeç me banim në Tiranë, dhe Kristos Prifti, 24-vjeç, lindur në Tiranë, por emigrant në Larisa të Greqisë, u arrestuan me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike", bëri të ditur policia. Sipas burimeve të policisë, arrestimi i këtyre dy personave dhe kapja e sasisë së lëndës narkotike u krye në vendin e kalimit kufitar të Kapshticës. Pas një bashkëpunimi me policinë kufitare në këtë doganë, është ushtruar kontroll në autobusin me targë TR 1958 N, në të cilin u gjetën dhe u sekuestruan 46 pako të mbështjella me letër natriban, brenda të cilave ishte paketuar lënda narkotike. Kapja e kësaj sasie droge dhe arrestimi i dy personave që e transportonin atë drejt Greqisë, kanë qenë pjesë të një aksioni të nisur nga sinjalizime të mëparshme për policinë. Mësohet se ky rast i trafikut të drogës drejt Greqisë, do t'i kalojë për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, e cila ka urdhëruar aksionin. g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›