E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertizë mendore vrasësit të policëve

 

TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje kryerjen e një ekspertimi mendor për Afrim Hasanin, personin e akuzuar për vrasjen e dy policëve në Kukës, në mars të këtij viti. Mësohet se ekspertimi do të "hedhë dritë" mbi gjendjen mendore të Hasanit, në momentin e kryerjes së veprës penale. Togat e zeza të Krimeve të Rënda, pranuan në këtë mënyrë kërkesën e palës së mbrojtjes, bërë një seancë më parë. Në seancën e djeshme, dy ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, u betuan përpara Gjykatës për kryerjen e këtij ekspertimi. Dy ekspertët i kërkuan gjykatës që ekspertimi të kryhej në spitalin e Burgut dhe jo në kushte ambulatore, duke pretenduar se ngjarja për të cilën akuzohet Hasani është shumë e rëndë. Në seancë u bë e ditur se ekspertimi do të përcaktojë gjendjen psikike të të pandehurit Hasani në momentin e kryerjes së veprën penale, si edhe gjendjen aktuale mendore të tij. Për shkak të vështirësisë që paraqet ekspertimi mendor i të pandehurit Hasani, ekspertët kërkuan katër javë kohë, kërkesë që u pranua nga gjykata. Ngjarja për të cilën akuzohet Hasani, ndodhi më 23 mars të këtij viti në fshatin Shën Mëri të Kukësit. Pasi ishte konfliktuar një javë më parë me punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj, rreth orës 20:30-21:00 të kësaj date në lokalin e Isa Dobrushës, Hasani qëlloi me armë zjarri mbi ta, duke i lënë të vdekur në vend. Vetëm pak orë më vonë, ai u arrestua nga një operacion policor, ku morën pjesë edhe forcat RENEA. Sipas hetimeve, Hasani qëlloi mbi dy policët në shenjë hakmarrjeje, pasi ata e kishin kallëzuar në prokurori për një konfrontim mes tyre, ndodhur një javë para ngjarjes. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›