E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëndeti mendor, rreth 70 për qind e shqiptarëve janë të stresuar nga ekonomia dhe papunësia



Problemi më i përhapur i shëndetit mendor në Shqipëri është stresi. Shkaku kryesor për shfaqjen e stresit tek afro 70 për qind e shqiptarëve ka qenë gjendja ekonomike jo e mirë dhe papunësia. Këto të dhëna janë evidentuar një studim në nivel kombëtar i realizuar nga Qendra e Zhvillimit të Shëndetit Mendor, mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, i cili tregoi se problemi më i përhapur i shëndetit mendor në Shqipëri është stresi, në masën 41 për qind, depresioni, 33 për qind, dhe abuzimi me substancat, në rreth 8 për qind. Një individ është i shëndoshë mendërisht jo vetëm kur nuk vuan nga çrregullime mendore, por kur ai ndihet mirë dhe mund të realizojë potencialin e tij, të përballojë streset normale, të jetë produktiv dhe të kontribuojë në komunitet. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, një në katër njerëz do të kenë të paktën një problem të shëndetit mendor në një periudhë të jetës së tyre. Rreth 450 milionë njerëz vuajnë aktualisht në botë nga probleme të shëndetit mendor dhe neurologjike, ose nga problemet psiko-sociale të lidhura me abuzimin me drogat dhe alkoolin. Aktualisht, vendi ynë ka spitale psikiatrike, të përqendruara në rrethet Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë, me një total prej 840 të shtruar, në një kohë kur vendet e tjera kanë përparuar mjaft lidhur me shtrirjen e shërbimeve komunitare, të cilat janë provuar se ofrojnë një cilësi më të mirë shërbimi dhe jete. Në kuadër të përmirësimit të shërbimit mjekësor për pacientët me probleme të shëndetit mendor, ka përfunduar “Dokumenti politik dhe plan veprimi për zhvillimin e shërbimeve të shëndetit mendor në Shqipëri”, të cilin specialistët shqiptarë të fushës së shëndetit mendor e kanë përgatitur me asistencën teknike të OBSH-së dhe me mbështetjen financiare të Agjencisë Suedeze për Zhvillim (SIDA).

Problemet më të përhapura të shëndetit mendor në vend Stresi 41 për qind
Depresioni 33 për qind
Abuzimi me substancat 8 për qind
Shkaktarët kryesor për shfaqjen e problemeve
Ekonomike dhe papunësia 66 për qind
Stresi 14 për qind
Problemet familjare dhe sociale 11 për qind

10 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›