E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorja e Gërdecit: “Berisha na mashtroi për pensionin e përhershëm”

Mimoza Kruja humbi bashkëshortin gjatë tragjedisë, ajo ndjek rregullisht procesin. Si ka ndryshuar jeta në familjes e saj pas tragjedisë, dhe humbja e besimit të drejtësia

Laureta Rryçi

Tiranë - Mimozës prej më se një viti i ka rënë barra për të mbajtur përgjegjësitë e kryefamiljarit. Më 14 mars të vitit 2008 ajo humbi gjatë tragjedisë së Gërdecit bashkëshortin, Reshit Kruja. Hallet duket se kanë nisur për të pikërisht atë ditë. Tani i duhet të lërë punën disa herë në muaj për t’u paraqitur herë në Gjykatën e Lartë dhe herë në Gjykatën e Faktit për të mësuar se a do të vihet drejtësia në vend mbi fatkeqësinë e ndodhur. E veshur pis në të zeza ajo tregon se prej një viti gjithçka ka ndryshuar në familjen e saj. Shteti duket se nuk e ka mbajtur fjalën për ndihmën e premtuar. “Nuk na kanë dhënë pension të përhershëm ashtu siç na u premtua nga kryeministri Sali Berisha”, shprehet ajo e irrituar pasi ka vetëm pak çaste ku ka dalë nga seanca e radhës që vetëm shtyhen. Për të, këto procese nuk janë gjë tjetër vetëm falsitete të radhës që duket e vështirë se do të vendosin drejtësinë në vend. Ajo ka tre fëmijë dhe vajza e madhe për shkak të gjendjes financiare rrezikon të shkëputet nga shkolla. Mimoza është vetëm një nga gratë e shumta që vijnë nga Gërdeci në Tiranë që ditën kur ka nisur procesi për këtë ngjarje. Të gjitha të veshura në të zi, të gjithë vajtojnë një nga të afërmit që nuk e kanë më. Por përveçse dhimbjes ata kanë të përbashkët edhe irritimin ndaj shtyrjeve të seancave për shkak të lojërave të avokatëve.
Ju keni ardhur në të gjitha seancat e procesit të Gërdecit. Përse e ndiqni me kaq fanatizëm këtë proces?
Prej tragjedisë së Gërdecit unë kam humbur bashkëshortin, Reshit Kruja. Që nga ajo ditë më ka rënë përgjegjësia të mbaj e vetme detyrimet për familjen. Kam tre fëmijë të cilët kërkojnë si çdo bashkëmoshatar të ushqehen, të shkollohen dhe të kenë një shtëpi. Pas humbjes së kryefamiljarit jam betuar se do ta ndjek këtë proces gjer në fund.
Pas veçimit të dosjes për arsye të ndryshme seancat vetëm po shtyhen. Si e gjykoni ju këtë situatë?
Unë ditën që është procesi gjyqësor heq dorë nga puna dhe vij për të qenë prezent se çfarë do të ndodhë. A do të jepet drejtësia për fatkeqësinë që ra nëpër shtëpitë tona. Mirëpo njëherë u sorollatëm në Gjykatën e Lartë ku seancat dukeshin si orë mësimi sa merreshin mungesat dhe shtyheshin. Më pas për interesat e tyre na e veçuan çështjen dhe tani duhet të humb dy ditë pune për të mësuar se çdo të bëhet me ministrin që lejoi ngritjen e fabrikës, dhe me të tjerët që sipas prokurorisë janë fajtorët për vdekjen e të afërmve tanë. Tani mësojmë se dosja do të ndahet sërish. Jam e mendimit se bashkë me të do të thërrmohet edhe përgjegjësia dhe të vetmit të dëmtuar sërish do të jemi vetëm ne ata që u dëmtuam në fillim. Këto nuk janë gjë tjetër veçse gjyqe farse, lojëra fjalësh me ne fatkeqit.
Sa e vështirë është për ju të mbani një familje me katër anëtarë? A ju ka ndihmuar shteti deri më tani?
Vështirësitë janë të shumta. Në muajt e parë na u desh shumë të merrnin veten nga tronditja psikologjike. Unë për fat të mirë punoj dhe me rrogën time përpiqem të mbyllim disa nga nevojat që ka familja. Fillimisht shteti na ka dhënë 2 milionë lekë. Si ne që na iku njeriu, si ata që iu gërvishtën shtëpitë njësoj u ndihmuan. Nuk e di kush ishin ata specialistë që e bënë këtë ndarje. Kanë kaluar më shumë se një vit dhe askush nuk po kujtohet për premtimin e kryeministrit Berisha për të na dhënë pension të përhershëm. Madje jo më larg se dje vajza e madhe me tha se nuk do të shkonte këtë vit në shkollë pasi unë nuk kam mundësi t’i mbuloj shpenzimet duke nisur nga librat që i duhen.
Keni ndërmend t’i ndiqni të gjitha seancat?
Sigurisht që po. Pavarësish se kemi një avokat që do të përfaqësojë të drejtat tona sërish jemi të vendosur t’i ndjekim seancat deri në fund. Nëse përgjegjësit nuk marrin dënimin e duhur për tragjedinë atëherë shteti duhet të mbajë një tjetër përgjegjësi atë çka në mund ta shkaktojmë me vetëgjyqësi. Fëmijët e mi prej më se një viti nuk e kanë më babanë e tyre, a mund të thoni se cili shtet nuk do të kujdesej për një familje që i ka rënë një fatkeqësi e tillë?!

10 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›