E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënimi, kapet djali i “Tit Gazhelit”

 

TIRANE - Arrestohet Gazmend Gazheli, i dënuar me 4 muaj burg për rrahjen e bashkëshortes. Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit, pohojnë se djali i biznesmenit Petrit Gazheli është vënë në pranga nga efektivët e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, pasi rezultonte person i shpallur në kërkim. Sipas policisë, për 37-vjeçarin Gazheli, Prokuroria e Durrësit kishte dërguar në kryeqytet urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal numër 240, i datës 29 prill 2009, të Gjykatës së Durrësit, e cila e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale të "kanosjes", parashikuar nga neni 84 i Kodit Penal. Ndërkohë burime nga policia e Durrësit pohojnë se Gazheli, djali i një prej personazheve të njohur kryeqytetas, biznesmen dhe i dënuar si trafikant droge, Petrit Gazhelit, është arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar nga policia e Durrësit, pas denoncimit të bërë nga gruaja e tij. Atëherë gruaja kishte pohuar në polici se bashkëshorti e rrihte sistematikisht, duke i lënë dëmtime të rënda. Pas këtij denoncimi, policia e Durrësit mbërriti në kryeqytet ku prangosi Gazhelin pranë shtëpisë së tij, tek zona e Bërrylit. Atëherë policia pohoi se gruaja e dhunuar ishte paraqitur në Komisariatin e Durrësit, krejt e lagur dhe e shpërfytyruar nga rrahjet dhe keqtrajtimi që i ishte bërë. Ajo sapo ishte paraqitur ka deklaruar se ishte nga Tirana dhe se ishte rrahur prej të shoqit, i cili e kishte keqtrajtuar dhe kërcënuar me thikë. Ngjarja sipas saj kishte ndodhur në shtëpinë e tezes së vet, tek e cila kishte ardhur që t'i shpëtonte dhunës sistematike të burrit të saj nga Tirana. Sipas dëshmisë së saj, çifti Gazeli kishte kohë që ishin të martuar, por ata kishin kohë që nuk shkonin me njëri-tjetrin, pasi burri ishte i dhunshëm dhe e rrihte sistematikisht. Megjithëse kishin dy fëmijë, ajo ka thënë në denoncimin e saj se ai nuk përpiqej të siguronte mirërritjen e tyre dhe vazhdimisht i torturonte ata duke ua rrahur të ëmën në prezencë. Për t'i shpëtuar kësaj gjendjeje, ajo kishte shkuar në Durrës ku dhe ishte strehuar te tezja e saj. Por, i shoqi i alarmuar pasi gruaja kishte marrë fëmijët, pasi ka gjetur adresën se ku banonte e ka rrahur dhe duke e kërcënuar me thikë i ka rrëmbyer asaj të dy fëmijët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›