E Diel, 1 Nëntor 2026

Sizmiologu malazez: Në Ballkan mund të ketë tërmet të madh



Tërmetet e kohëve të fundit në zona të kufizuara të vendeve të Ballkanit mund të përfundojnë me një tërmet të madh me efekte më të gjera gjeografike. Drejtori i Entit Sizmik në Mal të Zi, Branislav Glavatovic, u tha mediave vendase se pavarësisht pamundësisë së parashikimeve të sakta, ekziston mundësia e një tërmeti të madh. Sipas tij, lëkundjet e fundit në zonën e Dibrës në Shqipëri, patën një fuqi të madhe. “Prandaj është mundësia që në këtë zonë epiqendrore të ketë shkatërrime të konsiderueshme, megjithëse shpresojmë të mos ketë edhe viktima. Kjo e fundit ishte një lëkundje mesatarisht e fortë. Tërmetet me fuqi prej 8 shkallësh dëmtojnë rreth 25 për qind të objekteve, varësisht nga cilësia e ndërtimit”. Tha sizmiologu malazez. “Muajin e fundit kemi pasur disa tërmete të fuqishëm, ky i fundit në Shqipëri që është ndjerë edhe në Mal të Zi dhe ai i 21 gushtit, me epiqendër pranë Ulqinit në bregdet”, -ka thënë më tej Glavatovic. Ai tha se reduktimi apo rritja e aktivitetit sizmik është e pa parashikueshme për shkak të lëvizjeve që ndodhin qindra kilometra nën sipërfaqen e tokës të cilat kërkojnë kohë që të studiohen. Sizmiologu Branislav Glavatovic ka marrë pjesë në hartimin e “hartës së rrezikut Ballkanik” të mbështetur nga NATO për studimin e rreziqeve sizmike në rajon.

Tërmeti dëmtoi disa shtëpi edhe në Krujë

Lëkundjet e tërmetit të fuqishëm që goditi mbrëmjen e së dielës Peshkopinë janë ndjerë edhe në fshatin Zallë të rrethit të Krujës. Lëkundjet kanë dëmtuar dhjetëra banesa të këtij fshati. Banesat kanë pësuar carje duke e bërë të rrezikshme jetesën brenda tyre. Banorët e këtij fshati thonë se rreth 12 banesa kanë pësuar plasaritje serioze. Deri me tani askush nuk është interesuar për të parë gjendjen si dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara. Banorët i bëjnë apel shtetit, t’i ndihmojë për të përballuar situatën. Tërmeti i fuqishëm u regjistrua pak minuta para mesnatës së të dielës në juglindje të Peshkopisë. Instituti Sizmiologjik tha se lëkundja e parë, ndodhi në orën 23:49 dhe ka zgjatur 15 sekonda, nga ku me pas kanë vazhduar 59 lëkundje të tjera me intensitet më të vogël dhe ka qene me i fuqishme qe nga viti 1979. Mjaft banorë në zonën e prekur kaluan 2 netët e fundit jashtë ndërsa lëkundjet janë ndjerë edhe gjatë gjithë natës.

10 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›