E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzeu Kombëtar, më në fund flet anglisht

 

Alma Mile

Duket se aty koha ka ngrirë. Ka ndryshuar ndonjë tapiceri. Është mbyllur ndonjë pavijon, ekspozita kanë hyrë e kanë dalë, por struktura vazhdon të jetë po ajo, solide, e pandryshueshme, njëlloj si afro 30 vjet më parë. Në Muzeun Historik Kombëtar, që ngrihet hijerëndë në qendër të kryeqytetit, gjërat ndryshojnë ngadalë. Statistikat tregojnë se numri i vizitorëve rritet nga viti në vit. Këtë vit mësohet që numri i kureshtarëve të ketë qenë 30-40% më i madh se ai i një viti më parë. Ky është një fakt që do të na gëzonte nëse nuk do të dinim përshtypjet e vizitorëve kur dalin nga dyert e ndërtesës së madhe. Përpos vapës që të shoqëron nga njëri kat në tjetrin, si pasojë e mungesës së sistemit të kondicionimit, vizitorët e huaj, që muajve të verës zbarkojnë si klasa nxënësish drejt institucionit, pak informacion marrin gjatë këtyre vizitave. Kjo për arsyen e thjeshtë që muzeu ynë është i përbërë më shumë nga stenda se objekte dhe se këto të fundit janë të shoqëruara me etiketa, apo tekste vetëm në gjuhën shqipe. Drejtuesit e institucionit e pranojnë këtë mangësi të muzeut, por lajmi i mirë është që brenda këtij muaji, objektet e pavijoneve përkatëse do të shoqërohen me informacionin e duhur në gjuhën angleze. Do të jetë një informacion i rinovuar dhe i pasuruar, pasi ai aktual, siç mësohet i përket vitit 1981, vit në të cilin u hap Muzeu Historik Kombëtar. Gjithashtu pavijonet ekzistues do të pajisen me video projektorë. Kjo do t'i vinte shumë në ndihmë jo vetëm vizitorëve, por edhe punonjësve të muzeut, të cilëve do t'u duhet të shpjegojnë më pak, rreth pavijoneve. Megjithatë kaq nuk mjafton për muzeun më të madh në vend. Ndonëse për vite flitet për ngritjen e pavijoneve të reja, gjithçka ka mbetur në letër. Vizitorët e huaj nuk gjejnë në të pavijonet bazë, atë të diktaturës, për të cilin janë edhe më shumë të interesuar, madje një ndër arsyet pse vizitojnë Shqipërinë, është pikërisht të zbulojnë vendin që për 50 vjet u izolua nga bota si pasojë e një prej diktaturave më të ashpra që ka njohur ndonjëherë historia e njerëzimit. Edhe pavijoni në nderim të viktimave të komunizmit, i cili dëshmonte për krimet e rënda kryer gjatë viteve të diktaturës, është mbyllur prej kohësh dhe vizitorët nuk kanë mundësi të mësojnë asgjë për një nga periudhat më të rëndësishme të historisë shqiptare. Gjithashtu në mungesë është edhe pavijoni etnografik, për ngritjen e së cilit është folur shumë, por pa rezultate konkrete. Por edhe pavijonet e tjera ekzistuese, nuk thonë shumë, duke qenë se struktura mbi të cilën ato janë ngritur është më shumë ilustrative, se sa përmbajtjesore. Edhe pavijoni i arkeologjisë, i cili ka edhe numrin më të madh të objekteve, nuk është rinovuar me zbulime të reja, qysh prej kohës së ngritjes së tij. Ndryshimi rrënjësor i MHK-së, ka qenë sfida e çdo drejtori që është vënë në krye të këtij institucioni. Të gjithë në krye të herës kanë premtuar ndryshime, të cilat në të vërtetë duhet të kishin ndodhur me kohë. Dikush ka premtuar pavijone të reja, një tjetër rikonstruksione, ndryshime mozaikësh, etj., etj., por deri më sot asgjë nga këto nuk ka ndodhur. Disa muaj më parë, në ambientet e këtij muzeu u prezantua një nga projektet më ambicioze për ndryshimin e MHK-së, të cilin e merrte përsipër Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me mbështetjen e UNESCO-s. Edhe pse rezultatet e këtij projekti, i cili kushton 3,2 milionë dollarë, duhet të ishin bërë të dukshme, mësojmë se ndërkohë po punohet në "heshtje". Projekti është ende në fazën studimore, i cili sigurisht kërkon ca kohë të "piqet" për të kaluar më tej në zbatimin konkret. Por duket se deri atëherë do të duhet edhe ca kohë. Deri atëherë nuk do të ketë as sistem kondicionimi dhe vapa do të shoqërojë jo vetëm vizitorët, por edhe do të vazhdojë të ndikojë negativisht mbi objektet e muzeut, problem të cilin specialistët e muzeumologjisë e kanë ngritur me kohë. Por të paktën vizitorët e huaj do të mësojnë diçka më shumë nga Shqipëria. Të paktën do të ketë pak informacion në gjuhën angleze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›