E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungon avokati, gjykata cakton seancën e ardhshme me 23 shtator



Tiranë - Procesi gjyqësor për dosjen “Gërdeci” është shtyrë sërish për një tjetër datë në Gjykatën e Tiranës. Pas verifikimit të palëve, trupi gjykues konstatoi se avokati i Dritan Minxhollit, Arben Prifti edhe pse kishte marrë dijeni sërish nuk ishte paraqitur në seancën e djeshme. Mungesa e tij e detyroi trupin gjykues që t’i caktonte një avokat kryesisht Minxhollit. Po në seancën e djeshme u prezantua dhe grupi ri i prokurorëve. Me një urdhër në muajin korrik të këtij viti Prokuroria e Përgjithshme ka caktuar grupin e prokurorëve në përbërje të të cilit janë Altin Dumani, kryetari i njësisë së specializuar Task Force pranë Prokurorisë së Tiranës, Marjeta Zaimi, zv/ prokurore e Tiranës, Genci Qano, zv Prokuror i Tiranës, Petrit Bica prokuror i seksionit ushtarak.
Në seancën e djeshme, kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia që është njëkohësisht edhe avokati i administratorit të firmës “Alba Demil” i akuzuar për vrasje masive, Mihal Delijorgji, kërkoi gjatë seancës veçimin e çështjes. Sipas tij një proces me kaq shumë të pandehur do të ishte shumë i vështirë të menaxhohej për t’u gjykuar në kohë. “Sot mungon një avokat, në seancën e ardhshme mund të mungojnë një avokat tjetër. Këtë situatë nuk mund ta zgjidhë asnjë dhomë avokatie në botë. Për këtë shkak i sugjeroj prokurorisë që të marrë parasysh kërkesën tonë që të veçojë sa më parë këtë dosje”, tha dje avokati Haxhia. Mirëpo duket se kjo kërkesë i ka gjetur të papërgatitur përfaqësuesit të akuzës të cilët u shprehën se nuk është momenti të flasin mbi këtë kërkesë. Pas kësaj trupi gjykues me kërkesë të prokurorëve të çështjes pezulloi afatet e paraburgimit për të gjithë të pandehurit që janë në gjendje arrest me burg. Megjithëse Prokuroria e Përgjithshme e ka depozituar dosjen në gjykatë që në muajin mars, gjyqi po zvarritet nga njëri muaj në tjetrin. Përpara se Gjykata e Lartë të ndante çështjen duke mbajtur të pandehur vetëm ish-Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, gjyqi në këtë gjykatë dështoi dy herë.

Banorët e Gërdecit i bashkohen peticionit kundër Mediut

Pas shtyrjes të procesit, në mënyrë publike, familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit firmosën dje peticionin që Fatmir Mediu mos të ishte më pjesë e qeverisë së re. Një nga banorët që ishte edhe në sallën e gjyqit u shpreh se nuk ishte e moralshme që Sali Berisha të pranonte sërish në kabinetin e tij të ri një ministër si Mediu që ende nuk i ka mbyllur hesapet me drejtësinë. Dy ditë më parë, analistë të njohur të vendit nënshkruan një peticion nëpërmjet të cilit i kërkonin Berishës të mos pranonte Fatmir Mediun si ministër.

10 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›