Eksploatimi i rërës në Zahaq bëhet pa leje të MMPH
.jpg)
Inspektorët e Ministrisë së Mjedisit kanë nisur hetimet në fshatin Zahaq, pas raportimit të së mërkurës nga ana e KTV-së. Drejtuesit e kësaj ministrie kanë thënë se kompania ka leje vetëm për separacionin, por jo edhe për shfrytëzimin e lumit apo shtratit të tij.
Zyrtarë të kësaj ministrie kanë thënë se leja i është dhënë kompanisë “V. Kastrati” vetëm për separacionin në tokën që pronari e ka blerë nga serbët, por nuk lejohet që kompania të prekë lumenjtë apo shtretërit e tyre.
Duke ju referuar vendimit të Kryeministrit, kjo ministri ka thënë se pas çdo vendimi qeveritar krijohet edhe një memorandum-marrëveshje bashkëpunimi me palët, në këtë rast, ministritë dhe komunat, të cilat përfshihen direkt ose indirekt në zbatimin e vendimit.
Ambientalistët kanë shprehur shqetësime për rrezikun që iu shkaktohet rajoneve të ndryshme të vendit për shkak të dëmtimeve të mëdha që kompanitë iu kanë bërë lumenjve që nga paslufta. /Indeksonline/