E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksploziv makinës së oficerit të policisë

 

SARANDE - Eksploziv automjetit të oficerit të Policisë Gjyqësore në Sarandë. Shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale dhe mjaft panik në zonë, ndërkohë që ende nuk janë identifikuar autorët e vënies së lëndës plasëse. Ngjarja ku u shkatërrua automjeti i oficerit të Policisë Gjyqësore të Komisariatit të policisë së Sarandës ndodhi mesnatën e së dielës. Burime nga blutë e këtij qyteti bënë të ditur se, “rreth orës 23:45 në lagjen nr.4 është shkatërruar me lëndë eksplozive mjeti tip “Mercedes-Benz”, 250 ngjyrë gri, me targa të huaja 601956 pronë e shtetasit Ismail Lala”. Sipas policisë, nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se është përdorur një sasi prej rreth 150 gram amonit malor dhe për rrjedhojë mjeti ka pësuar dëmtime të konsiderueshme. Burimet sqaruan se, si pasojë e shpërthimit automjetit të Lalës i është shkatërruar tavani, është thyer xhami i parë si dhe është prishur totalisht sedilja e shoferit. Në momentin e shpërthimit makina ishte parkuar pranë një pallati, në lagjen nr.4, ku banonte oficeri Lala. Nga shpërthimi i fuqishëm, i cili është dëgjuar pothuajse në të gjithë lagjen, janë thyer edhe xhamat e një apartamenti në katin e parë të pallatit pranë. E lajmëruar nga banorët forca të shumta policie, të shoqëruara edhe nga një grup hetimor kanë mbërritur në vendngjarje. Ekspertët policorë kanë bërë këqyrjen totale të automjetit dhe mbledhjen e provave, të cilat mund të çojnë në zbardhjen e autorëve. Më pas automjeti i shkatërruar është transportuar drejt një pike servisi në fshatin Vrion. Pas marrjes në pyetje Lala ka pohuar se, nuk ka asnjë dyshim se cili mund të jetë autori i vënies së eksplozivit. Shpërthimi i së dielës çon në 5 numrin e shpërthimeve në këtë qytet në harkun kohor të më pak se katër javëve.               sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›