E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri me gardën, kërkohet imuniteti i dy deputetëve

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Përgjithshme filloi shqyrtimin e denoncimit të bërë nga Garda e Republikës ndaj deputetëve të Partisë Socialiste Andis Harasani dhe Ndriçim Hysa. Ata patën një incident javën e kaluar më gardistët e Parlamentit, të cilët kundërshtuan tentativën e deputetëve për të hyrë në Kuvend, duke mbajtur me vete disa kallinj misri. Burime zyrtare nga organi i akuzës, thanë se dosja me denoncimin e Gardës, është përcjellë nga Prokuroria e Tiranës, ku kishte mbërritur kallëzimi, në Prokurorinë e Përgjithshme. Shkak për transferimin e dosjes është bërë konstatimi i Prokurorisë së Tiranës se ndaj deputetëve duhet të kryhen hetime për “goditje dhe fyerje për shkak të detyrës” ndaj punonjësve të Gardës. Por sipas ligjit, Prokuroria e Rrethit nuk mund të zhvillojë hetime ndaj deputetëve me imunitet, ndërsa atributet ligjore për të kërkuar heqjen e tij i ka Prokuroria e Përgjithshme. Për këtë shkak, pas konstatimit të elementëve të veprës penale në kallëzimin e bërë nga Garda, Prokuroria e Tiranës e ka kaluar dosjen në Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se në denoncim, dy deputetët socialistë, Ndriçim Hysa dhe Andis Harasani, akuzohen se janë konfrontuar me dy punonjës të Gardës së Republikës ditën e enjte të javës së kaluar në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë. Burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se materiali denoncues ndaj deputetëve, i hartuar nga Garda e Republikës, po verifikohet nga organi qendror i akuzës, i cili në fund të verifikimit të materialit pritet të vendosë, nëse do të kërkojë heqjen e imunitetit për të zhvilluar hetime ndaj dy deputetëve të akuzuar nga Garda. Kallëzimi penal ndaj dy deputetëve u depozitua në Prokurorinë e Tiranës, por për shkak të imunitetit të Harasanit dhe Hysës, Prokuroria e Rrethit shpalli moskompetencën e saj, duke e kaluar çështjen në Prokurorinë e Përgjithshme. Në kallëzimin penal të hartuar prej saj, Garda e Republikës pretendon se më 11 shtator 2008 para seancës plenare deputetët Ndriçim Hysa dhe Andis Harasani mbanin në duar objekte (kallinj misri) të cilat ndalohet të futen në Kuvend. Ata janë lejuar të hyjnë pa dorëzuar misrin, por Garda pretendon se deputetët kanë kundërshtuar duke ofenduar dhe ushtruar forcë ndaj gardistëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›