Hetohet banda që vodhi 1 miliard lekë
Trazhgim Sokolaj
Një grup i gjerë personash, të cilët kanë vjedhur 1 miliard lekë të vjetra përmes tërheqjes së parave nga bankomatet me karta krediti të klonuara është zbuluar së fundi nga Prokuroria e Tiranës. Zbulimi i veprimtarisë së këtij grupi kriminal që ka dëmtuar rëndë llogaritë bankare të dhjetëra personave me qëndrim jashtë vendit, ka ardhur gjatë hetimeve të zhvilluara për llogari të dosjes “Matrix”. Në këtë dosje, akuzohen 17 persona, nga të cilët 14 të arrestuar, pasi me karta krediti të klonuara kanë vjedhur një shumë prej 150 mijë euro. Vjedhja në të dy rastet është kryer me anë të përdorimit të kartave të kreditit “VISA” dhe “Mastercard”, të cilave me kompjuter u janë futur informacione të vjedhura nga hakera të huaj, të cilët siguronin numrin serik dhe kodin (pin) të zotëruesve të vërtetë të kartave të kreditit. Përmes pagesës 500 euro për çdo rast, hakerat e huaj, rusë dhe anglezë i dërgonin të dhënat në Shqipëri dhe të akuzuarit, përmes pajisjeve kompjuterike i vendosnin në kartat e kreditit këto të dhëna, duke prodhuar kështu një kartë binjake me atë që zotëronte pronari i vërtetë i saj. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës, konfirmuan dje se janë drejt fundit hetimet për grupin e parë të 17 personave të arrestuar për vjedhje me karta krediti të klonuar. Dosja penale “Matrix” ndaj këtyre personave pritet që brenda pak ditëve të dërgohet për shqyrtim në gjykatë. Prokuroria tha se do të ndajë në një dosje të dytë materialet që flasin për hakerat e bankomateve, që vazhdojnë akoma të veprojnë në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe disa qytete të tjera të vendit. Hetimet ndaj tyre do të vazhdojnë në një dosje të dytë deri në identifikimin e plotë të personave të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Hajdutët e lirë
Gjatë hetimeve për 17 hakerat e arrestuar, tre nga të cilët u liruan nga gjykatat, në Prokurori mbërriti një raport i “Visa” dhe “Mastercard”, ku thuhej se shuma e vjedhur me karta të klonuara në bankomatet që ndodheshin në territorin e Shqipërisë, ishte afërsisht 2 miliardë lekë ose 2 milionë euro. Gjatë ballafaqimit të të dhënave, rezultoi se një shumë rreth 150-200 euro ishte tërhequr nga hakerat e arrestuar tashmë pas një aksioni të policisë në korrik 2008. Ata nuk kishin tërhequr pjesën tjetër të shumave që ishin vjedhur nga bankomatet. Kartat e klonuara të kreditit, me të cilat ishin tërhequr shumat marramendëse të parave, ishin përdorur nga persona të tjerë ende të paarrestuar. Menjëherë pasi konstatoi këto fakte, Prokuroria ra në gjurmët e grupit të dytë të hakerave, të cilët kryenin vetëm vjedhje në bankomate duke tërhequr shuma në kesh. Nga ana tjetër, grupi i parë i të arrestuarve, kishte vepruar kryesisht duke blerë mallra të shtrenjta me kartat e klonuara në qendrat tregtare të Tiranës, Ulqinit dhe Shkupit. Në këtë mënyrë, Prokuroria ka vendosur të hapë një dosje të re për grupin e dytë të hakerave që besohet se numëron më tepër se 20 anëtarë. Organi i akuzës ka siguruar imazhe filmike të këtyre personave të fiksuara nga bankomatet ku janë tërhequr paratë, por pamjet janë të paqarta për të identifikuar të dyshuarit. Dosja e parë e hakerave të arrestuar tashmë pritet të dërgohet në gjykatë për ti lënë vend hetimeve për grupin e dytë të vjedhësve të bankomateve, i cili është zbuluar së fundi.
Banda e “Hakersave”
Në qeli
Endrit Gjergjani
Anil Gjergjani
Kreshnik Luku
Ledio Doko
Enea Çela
Rei Karapici
Redi Çikani
Blerim Abazi
Flamur Gashi
Indrid Abazi
Alban Bare
Liruar në Apel
Endri Mezuraj
Liruar në Fakt
Besfort Puka
Seid Mollaj
Fatmir Borshi
Klodian Terroli
Fatmir Kolmarku
Kapoja i “Matrix”: Si vidhnim me karta të kopjuara
TIRANE – Organi i akuzës gjatë hetimeve për dosjen e parë të hakerave ka marrë në pyetje personazhin e konsideruar si drejtues i grupit. Endrit Gjergjani ka pranuar akuzën në qelitë e policisë, ku është shprehur se ai i prodhonte kartat e klonuara dhe më pas i shpërndante tek anëtarët e grupit, të cilët realizonin përdorimin e tyre në vjedhje. Gjergjani ka pohuar se të dhënat e kartave i merrte përmes internetit nga hakera rusë dhe anglezë, të cilëve u paguante 500 dollarë për çdo informacion. Me këto të dhëna, Gjergjani shkruante me kompjuter karta të reja të boshatisura, të cilat ktheheshin në një kopje identike me kartën e kreditit që zotëronte pronari i llogarisë. Pasi bënte kopjimin e kartave, Gjergjani i shpërndante ato tek anëtarët e grupit, të cilët kryenin tërheqjen e shumave nga bankomatet apo blerjet me karta krediti. Sipas hetimeve, që nga mesi i vitit 2007 deri në mesin e vitit 2008, grupi i 17 personave të akuzuar ka arritur që përmes kartave të klonuara të kryente 400 tërheqje nga bankomatet, si dhe një seri blerjesh të veshjeve, makinave dhe pajisjeve luksoze.