Eksploziv ndërtuesit, një vit më parë u kap me drogë

Apartamenti ku u vendos tritoli
Tiranë, shpërthimi, në apartamentin e Lorenc Teranajt skishte njeri.
Një shpërthim eksplozivi ndodhi disa orë pas mesnatës në derën e apartamentit të shtetasit Lorenc Teranaj, në një pallat banimi në rrugën Siri Kodra në Tiranë. Pronari i shtëpisë ku ndodhi ngjarja njihet për aktivitetin në ndërtim. Burime nga Policia thanë se shpërthimi ka ndodhur nga aktivizimi në distancë i një sasie prej 100 gramësh tritol. Lënda plasëse ishte vendosur në derën e apartamentit në katin e shtatë të pallatit, që rezulton të jetë ndërtuar nga Teranaj dhe dy persona të tjerë. Ngjarja ka shkaktuar dëme materiale pa pasoja të tjera, pasi në momentin e shpërthimit në apartament nuk ndodhej asnjë person brenda. Ekspertë të Antiterrorit dhe seksionit të vjedhjeve me dhunë dhe armë kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, por pa arritur të gjejnë ndonjë provë të vlefshme që mund ti çojë në emrin e autorit. Ndërsa është marrë në pyetje edhe i dëmtuari, i cili ka pohuar se nuk ka konflikte me njeri dhe nuk ka asnjë person të dyshuar për ngjarjen. Nga informacionet e siguruara nga grupi hetimor, ngjarja është vlerësuar si shkatërrim prone, pasi Lorenc Teranaj ka pohuar se ky mund të ketë qenë qëllimi i autorëve, duke qenë se ai ende nuk ishte zhvendosur për të jetuar në atë apartament. Policia e lidh ngjarjen edhe me arrestimin e 34-vjeçarit në gusht të vitit të kaluar, kur u kap me 1.2 kilogramë lëndë narkotike të llojit heroinë. Teranaj u arrestua më 24 gusht të vitit 2011, gjatë operacionit të Antidrogës së Tiranës, të koduar Braka, në afërsi të Rinasit, ku në makinën, ku ndodhej bashkë me një person tjetër, u gjet e fshehur sasia e drogës. Pa kaluar ende dy muaj nga arrestimi i tij, Teranaj u lirua nga Gjykata e Apelit më 23 tetor të vitit 2011. Apeli liroi 34-vjeçarin me pretendimin se gjatë seancës së masës së sigurisë kishte shkelje procedurale pas të cilave i arrestuari nuk mund të qëndronte më në qeli. Në një kohë që personi tjetër që u arrestua bashkë me të gjatë aksionit të Antidrogës, pasi nuk u gjetën prova të mjaftueshme që ta lidhnin atë me sasinë e drogës, Teranaj qëndroi në qeli rreth 2 muaj, për tu liruar më pas nga Apeli. Lorenc Teranaj është përballur me Gjykatën e Tiranës dy herë, ku fillimisht i është caktuar masa e sigurisë 30 ditë burg dhe më pas, po kjo gjykatë kishte vendosur masën e sigurisë burg pa afat. Pikërisht seanca e dytë e masës së sigurisë, sipas Gjykatës së Apelit, ka pasur dhe shkeljet procedurale, pasi në atë seancë nuk ka qenë i pranishëm as i pandehuri dhe as avokati i tij mbrojtës.
ETLEVA DELIA