Policia: Zhdukja e Fllanzës e inskenuar, u vetëlargua

Pallati i familjes Rexhmati në Kukës
KUKES/ Rrëzohet pista e rrëmbimit. Ende mister motivet e 38-vjeçares.
Pas 2 ditësh mbetet i pazbardhur fati i 38-vjeçares Fllanza Rexhmati, nënës së tre fëmijëve që u zhduk pa asnjë gjurmë nga apartamenti i saj në katin e parë të një pallati, në Lagjen Nr.5 të qytetit të Kukësit. Policia ka zhvilluar kërkime te të gjithë të afërmit e saj, ka krehur zonën në periferi të qytetit të Kukësit, ka zhvilluar hetime intensive, por ende nuk ka asnjë shenjë për Rexhmatin. Në komunikatën e lëshuar një ditë pas humbjes, në tre rreshta Policia e Kukësit thotë se Rexhmati është vetëlarguar dhe se ajo po punon për të zbardhur rrethanat e këtij vetëlargimi. Një nga drejtuesit kryesor të operacionit tha për Panorama se ngjarja është e mbështjellë me shumë mister dhe e vështirë të zbulohet skenari i zhdukjes së gruas. Është e sigurt se 38-vjeçarja është vetëlarguar me dëshirën e saj, por ne nuk dimë gjë për fatin e mëtejshëm të saj dhe as për motivet që e shtynë të vetëhumbasë kështu. Është e vështirë dhe të skicohet saktë se si është organizuar apo vetëorganizuar plani për këtë humbje. Ne kemi shqyrtuar gjitha provat materiale të gjetura në dhomë dhe pas analizimit të tyre rezulton se ajo skenë krimi me një thikë me gjurmë gjaku, me jelekun e gruas në dysheme edhe gjithçka tjetër është e inskenuar, pohohet nga Policia.
Ndërkohë, në familjen Rexhmati vijojnë pritje-përcjelljet e të afërmve. Një arratisje e mundshme e gruas duket fort e dyshimtë prej tyre, pasi ajo kishte qenë një njeri i rregullt në jetë dhe shumë familjare. Gjashtë muaj më parë ajo kishte kaluar një sëmundje, çka bëri që ti nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Enigmë mbetet dhe humbja e një shume parash, prej 300 mijë lekësh, të cilat ishin në shtëpi, gjë që e fut në rreth vicioz ngjarjen, pasi ka hamendësime për grabitje apo marrje të lekëve nga vetë e humbura. Familja Rexhmati nuk ka pasur probleme me askënd, kështu që dhe një hakmarrje e mundshme bie poshtë. Edhe dje kanë vijuar kërkimet në periferi të qytetit të Kukësit, në kodrat afër liqenit, por pa rezultat. Mbrëmjen e së enjtes, në Kukës, në krye të një ekipi specialistësh të Krimeve të Rënda ka qenë dhe Sokol Bizhga, drejtor në Policinë e Shtetit, por edhe këta ekspertë nuk kanë ende asnjë gjurmë të Fllanza Rexhmatit. Kërkimet pritet të vazhdojnë sërish deri në gjetjen e gruas, e cila në mënyrë enigmatike la fëmijët dhe bashkëshortin, duke inskenuar, siç dyshohet nga Policia, një skenë krimi brenda ambienteve të shtëpisë.
Thika dhe jeleku, analizë gjakut në laborator
Thika dhe jeleku i gruas, që u gjetën në një prej dhomave të shtëpisë me njolla gjaku u dërguan dje në laborator për kryerjen e analizave. Nëpërmjet krahasimit të ADN-së me fëmijët e të zhdukurës do të arrihet të përcaktohet nëse gjaku i përket Fllanza Rexhmatit. Sipas Policisë, mjeti mprehës ka mbi të njolla gjaku.