Studimet e pjesshme, nis sot procesi i aplikimit, afat deri në datën 8 dhjetor
Jonida Tashi
Nis sot procesi i dorëzimit të dokumenteve për të vijuar studimet me kohë të pjesshme në universitetet publike të vendit. Sipas afateve të vendosura nga Ministria e Arsimit, të interesuarit do të kenë vetëm një javë kohë në dispozicion për të depozituar pranë sekretarive përkatëse të fakulteteve, ku dëshirojnë të studiojnë, dosjen e dokumenteve që nevojiten për aplikim. Konkretisht në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, për procedurat e pranimit dhe të regjistrimit për studimet me kohë të pjesshme dhe në distancë thuhet: “Aplikimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, do të zhvillohet nga data 2.12.2009 deri në datën 8.12.2009, prej orës 8.00 deri në orën 16.00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të institucioneve publike të arsimit të lartë.
Dokumentet
Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, do të bëhet pranë sekretarive mësimore të fakulteteve dhe duhet të shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm: Fotokopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë së shkollës së mesme, ose fotokopje të noterizuar të ndonjë diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të; Dokument identifikimi (certifikatë lindje me fotografi, kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje duhet të mbahet certifikata e lindjes me fotografi, fotokopja e kartës së identitetit, ose e pasaportës; Dy fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekë; Deklaratë që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme; Në qoftë se kandidati fitues nuk ka Dëftesë Pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të Dëftesës së Pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi i Shtetit. Kandidatët që do të aplikojnë për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në një program të dytë studimi, duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore diplomën e lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë (ose fotokopje të saj të noterizuar), diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit (ose fotokopje të saj të noterizuar), të vlerësuar e barasvlershme me të.
Përzgjedhja
Pranimi i kandidatëve në programet e studimit të ciklit të parë, në formën e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në universitetet publike, në vitin akademik 2009-2010, do të bëhet në bazë të përzgjedhjes së bërë nga vetë universitetet, sipas kritereve të përcaktuara dhe të bëra publike paraprakisht. Për këtë, pas mbylljes së procesit të aplikimit, pranë njësive kryesore përgjegjëse universiteteve publike, për çdo program studimi të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, dhe për programe e dyta studimi, do të ngrihen komisione “Ad-hoc”, me anëtarë të personelit akademik, për përzgjedhjen e kandidatëve fitues për këto programe, në përputhje me kuotat e përcaktuara nga qeveria. Sipas afateve të vendosura nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, universitetet do të kenë vetëm gjashtë ditë kohë në dispozicion për të bërë përzgjedhjen e kandidatëve fitues për studimet me kohë të pjesshme. Universitetet do të shpallin dhe do të afishojnë listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, brenda orës 12.00 të datës 14.12.2009, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës.
Regjistrimi
Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë ku janë shpallur fitues, do të zhvillohet nga data 14 deri në datën 18 dhjetor, prej orës 8.00 deri në orën 16.00, pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse. Regjistrimi i kandidatëve fitues do të bëhet vetëm me Dëftesën e Pjekurisë origjinale të shkollës së mesme, me përjashtim të rasteve të parashikuara më sipër. Dokumentet e aplikantëve jofitues do t’u kthehen personave kundrejt kërkesës. Pas mbylljes së procesit të regjistrimit, universitetet do të dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit, listat përfundimtare të kandidatëve fitues të regjistruar në datën 22 dhjetor 2009. Kuotat e pranimeve në studimet e ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, që mbeten të parealizuara, do të rishpërndahen sipas universiteteve publike dhe programeve të ndryshme të studimit nga Ministria e Arsimit. Ndërsa regjistrimi i kandidatëve për transferim studimesh do të kryhet pas shpërndarjes nga Ministria e Arsimit, të 100 kuotave të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Regjistrimi i kandidatëve të huaj, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, kryhet pas dërgimit nga Ministria e Arsimit të listës së kandidatëve dhe shpërndarjes së kuotave të përcaktuara. Pas mbylljes së procesit të të gjithë regjistrimeve, universitetet sërish duhet të dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit listat përfundimtare me regjistrimet e kryera brenda datës 17 dhjetor 2009. Për vitin akademik 2009-2010, qeveria ka miratuar 6145 pranimi për studimet me kohë të pjesshme dhe në distancë. Kuota totale e pranimeve në sistemin e pjesshëm të studimeve do të do të ndahet në katër drejtime të veçanta. Më konkretisht, kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme do të jenë 5905; Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit të ciklit të parë, të edukimit në distancë, 40; Kuotat për transferim studimesh, 100; Kuota për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe për shtetas të tjerë të huaj, 100.
Dokumentet e aplikimit
Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, do të bëhet pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore dhe duhet të shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm:
Fotokopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë së shkollës së mesme, ose fotokopje të noterizuar të ndonjë diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të;
Dokument identifikimi (certifikatë lindje me fotografi, kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje duhet të mbahet certifikata e lindjes me fotografi, fotokopja e kartës së identitetit, ose e pasaportës;
Dy fotografi;
Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekë; Deklaratë që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme;
Në qoftë se kandidati fitues nuk ka Dëftesë Pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të Dëftesës së Pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi i Shtetit;
Kandidatët që do të aplikojnë për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në një program të dytë studimi, duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore diplomën e lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë (ose fotokopje të saj të noterizuar), diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, (ose fotokopje të saj të noterizuar), të vlerësuar e barasvlershme me të.
Afatet e aplikimit dhe të regjistrimit
Aplikimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, do të zhvillohet nga data 2.12.2009 deri në datën 8.12.2009, prej orës 8.00 deri në orën 16.00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të institucioneve publike të arsimit të lartë.
Universitetet do të shpallin dhe do të afishojnë listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, brenda orës 12.00 të datës 14.12.2009, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës.
Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë ku janë shpallur fitues, do të zhvillohet nga data 14.12.2009 deri në datën 18.12.2009, prej orës 8.00 deri në orën 16.00, pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse.
2 Dhjetor 2009