Eksploziv në mjetin e një tregtari
Eksploziv ndaj një makine të një pronari butiku në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e saj në dy pista kryesore. Sipas policisë kryeqytetase, mëngjesin e djeshëm është njoftuar se një sasi eksplozivi është vendosur në një mjet të parkuar te rruga "Qemal Stafa". Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 4, të cilët kanë konstatuar se eksplozivi ishte vendosur në mjetin e shtetasit A.V. Nga të dhënat paraprake është mësuar se eksplozivi është vendosur rreth orës 02:00, pikërisht pranë makinës së këtij personi, që është e tipit "Volksvagen Passat". Sipas hetimeve, sasia e eksplozivit mendohet se ka qenë rreth 10 gramë dhe për këtë arsye nuk ka shkaktuar ndonjë dëm të madh. Ndërkohë, hetimet janë shtrirë në pistën e konflikteve të pronarit të butikut.