E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gruaja që ndenji 1 vit në gjumë

03/03/2005  Rast i rrallë. U shtrua në Spitalin Ushtarak me milingjit, komplikacioni më i rëndë i gripit, por zemra nuk e la

U zgjua pas një viti që ishte në gjendje koma dhe tashmë gëzon shëndet të plotë

U shtrua me komplikacione gripi, ishte në gjendje koma dhe u zgjua pas një viti. Kjo i ndodhi vjet një gruaje me emrin Donika, e cila u shtrua në Spitalin Ushtarak në gjendje koma. Mjekët nuk duan të flasin dhe me zor thonë se gruaja banonte në një nga fshatrat e largëta, dhe erdhi në gjendje koma në spital në fund të dhjetorit të vitit 2003 dhe iku nga spitali në nëntor të vitit 2004. Gati një vit rresht, ajo ndenji e shtruar në spital në gjendje koma si pasojë e milingjitit, infeksion i cipës së trurit. Gjatë gjithë muajve të gjumit, ajo nuk jepte shenja jete, derisa një ditë, befas, u zgjua. Analizat i dolën krejt në rregull dhe tashmë gëzon shëndet të plotë. Gruaja është mbajtur në Reaminacionin e spitalit nën kujdesin e plotë të mjekëve. Aparaturat e mbajtën në gjysmë jetë për 1 vit rresht. Ky është ndër të paktat raste kur një pacient në Shqipëri ka rezistuar kaq shumë kohë në koma. Rastet e tjera kanë qenë pacient që kanë qenë një muaj, apo dy muaj në gjumë të thellë, maksimumi deri gjashtë muaj dhe jo si pasojë e komplikacioneve të gripit, por për arsye të tjera shëndetësore. Ndërkohë për shkak të komplikacioneve të rënduara, pasi njerëzit kanë shkuar vonë te mjeku dhe jetojnë në kushte të këqija dhe vitet e tjera ka patur raste vdekjesh. Edhe këtë vit për rastet e katër pacientëve të vdekur është dyshuar se shkak kanë qenë pasojat e gripit. Ndërkohë deri para disa ditësh një fëmijë 11 vjeç ka qenë i shtruar në Spitalin Infektiv dhe kishte disa ditë në gjendje kome. Javën e parë të shkurtit për Tiranën u shënua rasti i parë i vdekjes së një fëmije nga gripi, duke e çuar në katër numrin e përgjithshëm. Ishte një fëmijë 5 muajsh, nga Bathorja dhe veç të tjerave ishte i prekur nga sindroma daën. Shkak kryesor i vdekjes ishte gripi dhe disa komplikacione të shkaktuara prej tij. Mjekët thanë se fëmija u soll shumë vonë në spital dhe se për të nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi. Para dy muajsh epidemia e gripit shkaktoi humbjen e jetës së tre fëmijëve në qytetin e Lushnjës. Dy raste vdekjesh janë shënuar në Spitalin Pediatrik të këtij rrethi në muajin janar dhe një tjetër më pas. Mjekët pediatër të Lushnjës kanë konfirmuar se vdekjet janë shkaktuar si rezultat i komplikacioneve të gripit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›