E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksploziv supermarketit të biznesmenit

 

Dashamir Biçaku

Një shpërthim i fuqishëm tronditi mbrëmjen e të premtes zonën në afërsi të Drejtorisë së Kolaudimeve njohur ndryshe NSHRAK-u.Shpërthimi ndodhi në një minimarket në pronësi të Skënder Selgjekës nga Malësia e Madhe me banim në rrugën “Don Bosko”. Objekti në të cilin ishte vënë një sasi prej 100 gramë tritoli, ndodhej në katin e parë të një pallati të ndërtuar vitet e fundit. Dyqani me një sipërfaqe prej rreth 150 metra katrorë u shkatërrua në pjesën ballore të tij nga aktivizimi i lëndës plasëse në krahun lindor të qepenit. Si të dyshuar për ngjarjen policia ka shpallur në kërkim Nikollë Dedën, rreth 40 vjeç, nga Shkodra, i njohur me pronarin e dyqanit të dëmtuar. Shpërthimi ka shkatërruar një pjesë të mirë të ambienteve të brendshme të dyqanit me pamje nga veriu. Qepenat prej alumini janë hedhur disa metra tutje bashkë me dyert e dyqanit. Po kështu dëmtime kanë pësuar edhe objekte të ndryshme dhe apartamentet të pallateve pranë vendit ku kishte shpërthyer tritoli. Dyshimet paraprake të policisë lidheshin me një konflikt të mundshëm për motive pronësie apo ndonjë borxh të Skënder Selgjekës. Dyshimet më të forta të policisë lidhen me konfliktin për motive pronësie që sipas burimeve daton thuajse pesë vite më parë kur objekti ku ndodhet marketi ka nisur të ndërtohet.
Hetimi
Policia ka mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes për të nisur verifikimet e para mbi shkakun rrethanat dhe motivet e mundshme të eksplozionit. Efektivat blu kanë rrethuar vendin e shpërthimit, për të kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes. Ata kanë bllokuar çdo person, që ndodhej afër vendit të ngjarjes. Ndërkaq, ka shoqëruar në komisariat një numër të konsiderueshëm personash, të cilët sipas hetuesve janë marrë në pyetje në cilësinë e personave, që mund të kishin dijeni mbi rrethanat e krimit. Hetuesit kanë marrë në pyetje gjithashtu pronarin e minimarketit, Skënder Selgjekën për të dëgjuar prej tij versionin e ngjarjes. Nga verifikimet e para të kryera në vendin e shpërthimit, është ngritur si pistë kryesore ajo konfliktit të pronarit për motive pronësie. Hetuesit kanë kërkuar të dinë sa më tepër rreth të shkuarës së afërt dhe të largët të pronarit të supermarketit dhe konflikteve të mundshme të tij me persona të tjerë. Ky i fundit ka pretenduar, se nuk ka pasur konflikte, por policia tha se pista që po hetohet është e ndryshme. Nga këqyrja e kryer në vendin e ngjarjes policia ka mësuar se autorët e krimit, kanë hedhur një sasi prej rreth 100 gramë lëndë plasëse e llojit tritol. Disa orë pas ngjarjes policia ka ngritur dyshimet e para dhe më pas ka shpallur në kërkim si të dyshuar Nikollë Dedën. Blutë kanë kryer një kontroll në banesën e tij, por ai nuk është gjendur. Ndërkaq, lënda shpërthyese mësohet se është aktivizuar me një fitil zjarrpërcjellës rreth 50 cm të gjatë. Nisur nga gjatësia e fitilit, i cili sipas ekspertëve digjet në një kohë të caktuar ata kanë ngritur edhe dyshimet e para mbi kohën e aktivizimit të lëndës. Policia ka shoqëruar edhe persona të tjerë që janë gjetur pranë vendit të ngjarjes.

Flet pronari i supermarketit: S‘kam konflikte të asnjë lloji

TIRANE - Skënder Selgjeka pronari i minimarketit të dëmtuar me lëndë plasëse mbrëmjen e të premtes ka pohuar për gazetën “Panorama”, dje në mesditë, se ai nuk kishte pasur konflikte. Pavarësisht faktit se policia ka shpallur në kërkim një person, të njohur me emrin Nikollë Deda si autor të dyshuar të ngjarjes, Selgjeka ka mohuar një fakt të tillë.
Z.Slegjeka në ç’rrethana jeni informuar mbi shpërthimin e ndodhur në minimarketin tuaj?
Unë kam mbyllur dyqanin rreth orës 21:10 minuta të premten në mbrëmje dhe jam larguar për në shtëpinë time në rrugën “Don Bosko”. Shkova në shtëpi dhe po shikoja festivalin bashkë me familjen time. Rreth orës 22:30, disa afërm të familjes time, të cilët kanë një supermarket në rrugën “Komuna e Parisit” më telefonuan: Shiko pak lajmet në televizor se çka ndodhur te NSHARAK-u. Menjëherë ndërrova stacionin dhe pashë se thuhej se në këtë adresë kishte ndodhur një shpërthim në një minimarket. Më pas telefonova një person dhe më tha se shpërthimi kishte ndodhur tek dyqani im. Menjëherë sapo mora vesh se shpërthimi kishte ndodhur në dyqanin tim u nisa për këtu.
A mund ta përshkruani vendin e ngjarjes?
Në fakt, gjithçka ishte kthyer përmbys. Qepenat kishin fluturuar disa metra tej, xhamat e dyqanit po ashtu. Madje qepeni i garazhit të pallatit ishte shqyer, ndërsa një pjesë e mirë e xhamave të pallatit, ku ndodhet dyqani dhe të pallateve përballë janë dëmtuar tërësisht. Raftet ku ndodhej malli ishin kthyer përmbys të gjitha dhe dëmi kap disa milionë lekë. Vetëm reklama e neonit të dyqanit ka kushtuar 70 mijë lekë të reja.
Cili është shkaku i kësaj ngjarjeje?
Nuk di të them se përse mund ta kenë kryer një veprim të tillë. Nuk kam pasur konflikte pronësie me ndonjë person apo grup personash. Unë jam një nga investitorët e ndërtimit të këtij pallati dhe gjithçka ka shkuar mirë dhe me banorët nuk kam pasur konflikte.
Ndonjë konflikt pronësie, apo kërcënim për gjobë?
Jo asnjëherë, siç ju thashë edhe më parë nuk kam pasur konflikte pronësie. Po kështu nuk kam pasur dhe nuk kam marrë ndonjë kërcënim për gjobë. Kështu që s’di se ç’mund të them në këtë rast.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›