Fshati Fang, rrugë nga “Bechtel&Enka”
MIRDITE – Banorët e fshatit Fang në Mirditë i kërkojnë firmës “Bechtel & Enka” ndërtimin e rrugës që kalon në fshatin e tyre. Sipas policisë së Lezhës bëhet e ditur se kryeplaku i fshatit, bashkë me banorë kanë marrë takim me drejtues të firmës, duke i shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e një rruge lidhëse me zonat e tjera. Ata thonë se gjendja është tërësisht e amortizuar dhe reshjet e shiut kanë provokuar dëmtimin e plotë të saj. Punimet që po kryhen për autostradën kanë bllokuar dhe mundësitë e tjera të lëvizjes së tyre. Nisur nga ky shqetësim, përfaqësues të firmës që po ndërton rrugën Durrës-Kukës janë shprehur se do të punojnë për të sistemuar segmentin rrugor që përshkon fshatin Fang, çka do të krijojë lehtësira për lëvizjet e tyre. Kjo zonë ka qenë më problematikja për shkak se projekti i autostradës kalon nëpërmjet saj. r.n