Grevisti rëndë, refuzon serumin
GJIROKASTER
Përkeqësohet shëndeti i banorëve grevistë në ditën e gjashtë të grevës së urisë. Në orët e pasdites të së shtunës, për Fejzi Aliajn, 58-vjeçarin që shfaqi probleme në ditët e para, është kërkuar menjëherë ndihma e mjekëve. Ai është dërguar në urgjencën e spitalit të Gjirokastrës pas problemeve që konstatoi në marrje mendsh dhe tension të lartë. Kanë qenë vetë bashkëvuajtësit e tij, të cilët pasi e kanë parë Aliajn të ankohet për marrje mendsh dhe shikim jo të qartë, i kërkuan atij të paraqitej urgjentisht në spital falë edhe ndikimit të mjekut roje. Aliaj është përcjellë me shpejtësi në spital në orën 17:30 të së shtunës, ku pas konsumit të disa qetësuesve, ka qëndruar për disa orë në shtratin e urgjencës, duke mos pranuar kurrsesi të merrte sasi lëngjesh përmes serumeve. Në një gjendje kritike paraqiten edhe nëntë grevistët e tjerë. Sipas mjekëve që i kanë vizituar gjatë ditës së djeshme, situata është rënduar edhe për shkak të prekjes së bronkeve nga mungesa e një sistemi ngrohës në orët e ditës e të natës dhe si pasojë e lagështisë. Prej tri ditësh, grevistët kanë hyrë në pjesën e themeltë të pallatit të rrëzuar, në një dhomë e cila ka ngelur pothuajse e paprekur nga rrëzimi i godinës pesëkatëshe. Sipas mjekut Dilaver Stroka, gjendja e grevistëve është rënduar së tepërmi dhe gjatë vizitave me stetoskop, janë dëgjuar zhurma në pjesën e sipërme të trupit në aparatin respirues. “Janë këto shenja të qarta të agravimit të situatës te shëndeti i tyre”, shprehet mjeku Stroka. Grevistët janë të vendosur t’i shkojnë grevës deri në fund, duke u vetësakrifikuar, siç thonë ata. Ndërkohë ata kanë paralajmëruar një tubim paqësor mesditën e të hënës para godinës së Bashkisë dhe Prefekturës së Gjirokastrës. Të gjithë njëzëri pohojnë se janë të vendosur të mos bëjnë kompromis në dëm të interesave të tyre, duke qenë stoik në qëndrimin e likuidimit të vlerës financiare nga ana e shtetit në masën 100% të apartamenteve të humbura më 9 nëntor të këtij viti.