E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon minarja e xhamisë së Bej Mirahorit

 

KORÇE - Përurohet ndërtimi i minares së xhamisë më të vjetër në Ballkan, asaj të Iljaz Bej Mirahorit në Korçë. Sipas studiuesve të objekteve të kultit, kjo xhami u ndërtua në vitin 1495, duke u rezistuar shekujve, ndonëse ka nevojë për rikonstruksion të plotë. Minarja e kësaj xhamie, e lartuar më se 5 shekuj më parë me gurë shtufi, u rrënua nga tërmeti i vitit 1930, ndërsa tërmeti 9 ballësh i vitit 1960 e shkatërroi plotësisht. Prej asaj kohe u kërkua restaurimi, pasi xhamia u shpall monument i kategorisë së parë, e si e tillë gëzonte statusin e monumentit të kulturës dhe mbrohej nga shteti, por për dekada të tëra deklarohej se nuk kishte fonde. Minarja u ndërtua nga tre mjeshtër të ardhur nga Turqia me kërkesën e firmës së ndërtimit nga Shkodra "Kan" dhe firmës "Smogina" Korçë. Ajo ka lartësi prej 31 metra dhe materiali i përdorur për ndërtim është i njëjtë me atë që kishin përdorur ndërtuesit 5 shekuj më parë dhe të gdhendur me dorë. Pas çeljes së fondit nga deputeti i zonës, Ridvan Bode, nisi puna për rindërtimin e saj. Shiritin e përurimit e preu prefektja e Korçës, Elfrida Zefi dhe drejtori i degës së Institutit të Monumenteve të Kulturës në Korçë, Dhori Theodhori. Duke e marrë fjalën në këtë ceremoni drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Valter Shtylla, ka hedhur dritë mbi figurën e shquar të Iljaz Bej Mirahorit. Sipas Shtyllës, Iljaz Bej Mirahori ka vlera ushtarake e strategjike, por ka qenë edhe një patriot i shquar i vendit tonë. "Edhe pse u bë pasha i Perandorisë turke dhe gjeneral i ushtrisë turke të shekullit të 15-të, ai u kthye në vakëfet e malësisë së Korçës dhe me paratë e tij ndërtoi këtë xhami që shënon edhe fillimet e Korçës. Në lagjen Arnaut të Stambollit ka një bulevard me emrin e tij dhe një xhami të ndërtuar po prej tij në shekullin e 15-të".                                         j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›