“Taksisti” i 15 kileve heroinë, zbulon pronarin dhe pritësin
TIRANE – Tre persona dërgohen të pandehur në Gjykatën e Krimeve të Rënda me akuzën e “trafikimit të narkotikëve”, konkretisht të një ngarkese prej 15.7 kilogramë heroinë. Burime zyrtare nga organi i akuzës, thanë se prokurori Ardian Nezha përfundoi hetimet dhe dorëzoi në Gjykatë dosjen penale ndaj tre të pandehurve, Ardian Rexhepi, nga Korça, i arrestuar, Erion Voda, i hetuar në mungesë dhe Julian Gega, (Xulja) i hetuar edhe ai në mungesë. Sipas hetimeve të Prokurorisë, krimi për të cilin akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 6 maj 2008, pasi i akuzuari Ardian Rexhepi është nisur me autoveturën e tij “TOYOTA” ngjyrë vishnje me targë YBM 3042 nga qyteti i Korçës në drejtim të Athinës në Greqi. Ai ka vendosur të kalojë kufirin jo përmes Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë në Korçë, ku dhe banonte por ka kaluar në Pikën e Kalimit Kufitar “Tre Urat” në Përmet në një largësi të konsiderueshme nga vendi ku banonte. Sipas Prokurorisë një veprim të tillë i pandehuri e ka bërë me qëllim që t’i shmangej kontrollit të imtësishëm të policisë. Kontrolli i ushtruar në automjetin e Ardian Rexhepit në pikën kufitare “Tre Urat” ka qenë i hollësishëm për shkak të dyshimeve, që krijoi fakti se ai nuk ka kaluar kufirin në Korçë, por i ka rënë nga Përmeti. “Gjatë kontrollit në gomën rezervë të automjetit janë sekuestruar pako në formë tulle të mbështjella me natriban ngjyrë kafe. Bëhet fjalë për 30 pako lënde narkotike të mbështjella në pako 500 gramëshe një sasi prej 15 kg e 717 gr lënde narkotike heroinë”, thanë burimet e akuzës. Sipas tyre, drejtuesi i makinës në të cilën u gjet droga, është shprehur se lëndën narkotike ia ka dhënë një person nga fshati Pojan i rrethit Korçë, i cili thirret Roni. Ai i ka thënë për ta dërguar në Greqi drogën, për të cilën do të paguhej 2500 euro. I arrestuari ka sqaruar më pas se me personin që i ka dhënë drogën, është njohur në Greqi kur ishte emigrant. Gjatë një takimi mes tyre në qytetin e Korçës, Roni ka propozuar që të dërgonte në Greqi një sasi prej 2 kg lënde narkotike të llojit heroinë. Sipas hetimeve lënda narkotike, që do të dërgohej në Greqi atje do të pritej nga Julian Xhuma Gega të cilin “taksisti” i drogës e njihte, pasi merrej me tregti frutash në Athinë. Ardian Rexhepi ka rënë dakord të kalonte drogën në Greqi duke qenë në dijeni për dy kilogramë por në makinën që i është dhënë, fshehurazi atij ishin vendosur edhe 13 kilogramë heroinë të tjera, që u zbuluan dhe u sekuestruan nga policia. Për këtë shkak “taksisti” i drogës është arrestuar, dy të implikuarit e tjerë janë shpallur në kërkim dhe dosja është dërguar në gjykatë pas përfundimit të hetimeve. t.s