Grabiti me armë autobusin, kapet në Tiranë i kërkuari
GJIROKASTER - Ngjarjet e vitit 1997 rikthehen në vëmendjen e policisë, e cila ka prangosur një person të kërkuar dhe dënuar nga drejtësia. Edmond Goxhaj, 39 vjeç, nga qyteti i Memaliajit është kapur dje nga uniformat blu të Memaliajit në kryeqytet gjatë një aksioni blic. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Gjirokastrës, agjentët e krimeve të Gjirokastrës arritën të lokalizonin vendndodhjen e Goxhajt në një banesë me qira në zonën e maternitetit të ri të Tiranës, ku qëndronte i fshehur nga policia. Ai akuzohet se 11 vjet më parë ka grabitur nën kërcënimin e armëve disa pasagjerë, vepër për të cilën u dënua me 6 vjet burg. Sipas policisë, më 22 maj të 1997, në Agjencinë e Udhëtarëve në Tepelenë ai grabiti me dhunë nën kërcënimin e armëve të zjarrit pasagjerët e autobusit që qarkullonte nga Fieri në drejtim të Gjirokastrës. Në këtë veprim të paligjshëm, Goxhaj ishte ndihmuar edhe nga dy shokë të tij.