Eksplozivi i autostradës dëmton shtëpi në Mirditë
MIRDITE - Një shpërthim i kryer nga firma ndërtuese e rrugës Durrës-Kukës ka dëmtuar rëndë 3 shtëpi në fshatin Gëziq të Mirditës dhe ka rrezikuar banorët e tyre. Një sasi e konsiderueshme dinamiti është shpërthyer në një distancë mjaft të afërt me këto banesa, ndërkohë që asnjë përfaqësues i firmës nuk ka sinjalizuar banorët. Gurët e ngritur prej eksplozivit kanë rënë si rrebesh mbi çatitë e oborret e shtëpive, duke shkaktuar dëme të shumta materiale. Ndërsa një fëmijë i familjes së Nikollë Kolës ka shpëtuar mrekullisht pa u prekur nga një gur që, pasi ka depërtuar çatinë dhe tavanin e banesës, ka përfunduar në krevatin ku ai po flinte. Në rrugë zyrtare firma "Bechtel Enka" ka njohur dëmet e shkaktuara në 3 banesat dhe ka pohuar se prej firmës janë siguruar materialet e nevojshme për riparimin e banesave, që do përfundojnë brenda pak ditësh. I njëjti burim zyrtar ka pohuar se "Bechtel-Enka" po punon duke marrë të gjitha masat e nevojshme për të zvogëluar impaktin që ka ndërtimi mbi komunitetet përgjatë trasesë. r.n