E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen gurorja, vdes punëtori

Shpërthimi në gu-roren ku punonte i merr jetën 46-vjeçarit. 

POGRADEC/ JORGJETA GJANÇI

Jonuz Balliu mbetur i vdekur nën gurët që e kanë goditur me forcë, pasi  ndodhej aksidentalisht brenda rrezes goditëse në momentin e shpërthimit. Ndërsa prej policisë ngjarja është cilësuar si aksidentale, fakti që viktima nuk ishte i siguruar ka bërë që ndaj firmës të nisin hetimet. Ngjarja e dhimbshme ka ndodhur mesditën e së enjtes në një gurore në afërsi të Gurit të Kuq, në rrethin e Pogradecit. Sipas të pranishmëve në vendngjarje, mësohet se rreth orës 12:00 të së enjtes punëtorët e firmës "A.G.E." që kryen punime në këtë zonë, kanë përgatitur shpërthimin e një masivi guri. Pasi kanë vënë një sasi jo të vogël lënde plasëse, të llojit dinamit, janë larguar për të realizuar shpërthimin. Së bashku me ta është larguar edhe 46-vjeçari Jonus Balliu. Të bindur se të gjithë ishin jashtë rrezes goditëse është realizuar shpërthimi i lëndës plasëse. Sipas punëtorëve, vetëm në momentin që ka filluar shpërthimi ata kanë vënë re se mes tyre nuk ishte 46-vjeçari. Gjithë ankth punëtorët kanë pritur përfundimin e plasjeve dhe menjëherë i janë afruar grumbullit të gurëve të shkërmoqur nga shkëmbi gjatë shpërthimit. Atje ata kanë gjetur të pajetë Balliun, nën një masiv gurësh. Sipas hetimeve paraprake të policisë, të mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, mësohet se viktima është rikthyer nga rruga për të marrë ndonjë gjë që kishte lënë afër shkëmbit dhe nuk ka pasur më kohë të largohet. Të paktën ky ka qenë varianti që kanë pohuar kolegët e viktimës për policinë. Dëshmitë e siguruara nga punëtorët e tjerë të pranishëm në vendin e ngjarjes kanë shtyrë oficerët e policisë që ta klasifikojnë paraprakisht vdekjen e Balliut si aksidentale. Mësohet se Balliu ishte i martuar dhe kishte një fëmijë. Ai jetonte së bashku me familjen te ndërtesat e ish-stacionit të trenit, të adaptuara për banesa gjatë 18 vjetëve të fundit. Më anë të punës së tij në gurore, Balliu siguronte të vetmet të ardhura ekonomike për familjen e tij. Firma "A.G.E." ku ai punonte mësohet se është e licencuar, por një pjesë e punëtorëve të saj të gurores ishin të pasiguruar pranë sigurimeve shoqërore, mes të cilëve edhe 46-vjeçari. Mosqenia i siguruar e përjashton familjen e tij nga marrja e një pensioni ushqimor, duke i lënë ata në mëshirë të fatit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›