E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksplozivi, kandidati i PS-së: Ka prapavijë politike

Shpërthim në derën e shtëpisë së Erion Kokës, kandidat i PS-së për njësinë bashkiake nr.7 në Tiranë. Koka: Nuk kam asnjë konflikt. Kandidimi im, e vetmja arsye

Tiranë Eksploziv në shtëpinë e kandidatit të PS-së për njësinë bashkiake numër 7, Erion Koka. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm një sasi e vogël eksplozivi ka shpërthyer pranë banesës së Kokës, duke shkaktuar panik në zonën ku ai jeton. Eksplozivi ishte vendosur në sheshpushimin e katit të katërt të apartamentit parafabrikat, pranë shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” në Tiranë, e, sipas kandidatit Koka, ngjarja ka prapavijë politike. “Rreth orës 1:40 minuta të mëngjesit ndodhi shpërthimi. U ngritëm të tmerruar, pasi sapo kishim rënë në gjumë. Kur u ngritëm, nuk shikonim gjë tjetër veçse tym e blozë. Ishte një situatë kaosi” - tregon momentet e para pas shpërthimit Erion Koka. Dy prindërit e kandidatit PS-së, bashkëshortja dhe dy djemtë kanë qenë në gjumë, kur kanë dëgjuar shpërthimin dhe janë ngritur të tmerruar. “As nuk po merrnim vesh se çfarë kishte ndodhur. Dolëm në korridor, i cili ishte mbushur me tym të zi e blozë. Pamë që dera ishte shpërthyer, përsëri nuk po e merrnim dot vesh se çfarë kishte ndodhur” - rrëfen më tej kandidati i PS-së, Erion Koka. Ai tregon se sasia e tritolit ishte vendosur poshtë derës së jashtme, vetëm pak centimetra larg saj. Në vendin ku ishte vendosur eksplozivi, i cili sipas kandidatit të PS-së, ishte tritol, pllakat e shesh pushimit, ishin dëmtuar. Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, vetëm dëme materiale. “Gati 1 metër larg nga dera fle djali im i vogël, por shyqyr Zotit nuk ka ndodhur ndonjë tragjedi” - është shprehur Koka. Kandidati socialist ka mohuar në mënyrë kategorike pistën e ndonjë konflikti në nivel personal, duke u shprehur se ishte i sigurt se arsyet e këtij “mesazhi” ishin politike. “Edhe tani nuk kam asnjë lloj dyshimi, sepse praktikisht nuk kam pasur dhe nuk kam ndonjë lloj konflikti. Unë nuk jam njeri që gjeneroj konfliktet. Jam shumë i habitur dhe akoma nuk po gjej dot shkaqet e mundshme. E vetmja gjë që më shkon në mendje është arsyeja politike, kandidimi im. Deri ditën që unë nuk isha kandidat, nuk kam pasur kurrë asnjë lloj problemi, as në lagje, as në punë. E vetmja pistë, mundësi për të cilën unë mund të kem një problem të tillë është ajo politike. Siç ka ndodhur dhe në rastet e mëparshme, ky është incidenti i radhës", - tha Koka. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për këtë incident të radhës të fushatës elektorale, që vjen një ditë pas dy incidenteve të tjera që u shënuan në Kamëz dhe Pogradec. Policia dje njoftoi se është ende në fazën e hetimit të kësaj çështjeje, duke premtuar kapjen e autorëve. “Në sajë të masave të marra, u realizuan kontrolle të imtësishme përreth zonës dhe ambienteve të brendshme të banesës, nga ku u konkludua se lënda shpërthyese është vendosur në pjesën e derës së apartamentit, dhe si pasojë e këtij shpërthimi nuk ka të lënduar por vetëm dëme materiale. Ndërkohë, strukturat e Hetimit të Krimit të Policisë së Tiranës, nga specialistët e Sektorit Kundër Krimeve ndaj Personit, po punojnë intensivisht në drejtim të identifikimit të personave të vendosjes së sasisë së lëndës plasëse, dhe kapjen e arrestimin e tyre”, njofton policia e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›