Nafta virxhin, dëshmon pronari i depozitave të Golemit
Biznesmeni Piro Doda ka dëshmuar në Prokurorinë e Tiranës për lidhjet e tij të biznesit me pronarin e kompanisë “Euroil”, tashmë të arrestuar, Hajri Elezaj
Tiranë Pronari i depozitave të marra me qira nga kompania “Euroil” është thirrur për të dhënë shpjegime në Prokurori, rreth marrëdhënieve me biznesmenët e arrestuar për mashtrim me naftën virxhin. Piro Doda, që sipas prokurorisë disponon një pjesë të depozitave në Golem të Kavajës ka deklaruar se disa prej tyre u janë dhënë me qira kompanive “Euroil” dhe “Fisheku”, kundrejt pagesës respektive. Po ashtu, biznesmeni Doda ka sqaruar edhe marrëdhëniet e tij të biznesit me dy të arrestuarit, pasi nga verifikimet e kryera në QKR, rezulton të jetë anëtar i këshillit mbikëqyrës në një prej kompanive ku Hajri Elezaj është 50 për qind aksioner. Sipas burimeve, mësohet se dëshmia e biznesmenit është përqendruar kryesisht në periudhën kur është lidhur kontrata e qirasë mes tij dhe kompanisë “Euroil”, në pronësi të biznesmenit Elezaj, dhe kohëzgjatja e saj. Mësohet se Doda ka sqaruar raportin e biznesit me dy të arrestuarit, gjithashtu ka treguar edhe detajet e kontratës së qirasë. I pyetur rreth aktivitetit për të cilin janë përdorur depozitat pas dhënies me qira nga ana e tij, biznesmeni ka deklaruar se nuk kishte asnjë dijeni mbi këtë fakt, pasi ato ishin në përdorim nga kompanitë në fjalë. Pyetja e pronarit të depozitave, sipas prokurorisë, ka si qëllim sqarimin për disa të dhëna të siguruara gjatë hetimit, se këto depozita mund të jenë përdorur për përzierjen e naftës virxhin me benzinë. Nga kontrollet e ushtruara në zyrat e kompanisë “Fisheku” në pronësi të biznesmenit Iljas Fisheku, prokuroria ka sekuestruar edhe faturat e blerjes së naftës virxhin, edhe pse zyrtarisht rezultonte se një sasi e konsiderueshme virxhin ishte eksportuar nga Porti i Vlorës. Nga verifikimet e mëpastajme rezultoi se nga 35 depozita të karburantit që ndodhen në Golem të Kavajës, dy biznesmenët e arrestuar kishin marrë me qira shumë prej tyre. Këto depozita dyshohet se përdoreshin për përzierjen e naftës virxhin me benzinën dhe më pas rihidhej në treg si karburant i gatshëm. Ky fakt është pohuar edhe nga të arrestuarit kryesorë, të cilët udhëzonin shoferët dhe punonjësit e tjerë të kompanisë të mos përmendnin në asnjë rast Golemin. L.Bakillari