Ndizet tensioni në Sukth, plumba dhe 2 aktivistë të PS-së të plagosur
Durrës Zgjedhjet e 8 Majit ndezin tensionin edhe në Bashkinë e Sukthit, ku dy simpatizantë kanë përfunduar në spital me plagë të shumta. Konflikti ka lindur për vendosjen e flamujve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, e, përveç përleshjes, në këtë zonë ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17.20 të pasdites së djeshme, në vendin pranë fushës sportive të qytezës së Sukthit. Në këtë orë, disa aktivistë të shtabit elektoral të kandidatit të majtë Selami Xhelili, kanë qenë duke vendosur flamuj dhe postera në shtyllat e ndriçimit, në të dyja anët e rrugës. Sipas policisë, në këtë kohë aty kanë ardhur disa të rinj, anëtarë të kahut të kundërt politik dhe kaq ka mjaftuar për ndezjen e konfliktit. Dy prej aktivistëve të majtë janë qëlluar me mjete dhe sende të forta, ndërkohë që kundërshtarët politikë kanë qëlluar edhe me armë zjarri. Pak minuta pas fillimit të konfliktit, është njoftuar kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Sukthit, Selami Xhelili, i cili ka qenë duke zhvilluar një takim në fshatin Rrushkull, ku shoqërohej nga deputetët Namik Dokle dhe Gazmir Bizhga. Ata kanë mbërritur menjëherë në Sukth, duke njoftuar edhe policinë për këtë ngjarje. Dy aktivistët e majtë që mbetën të plagosur nga konflikti “elektoral” i radhës janë Petrit Balla, 24 vjeç; dhe Sokol Bardhi, 42 vjeç. Të dy janë goditur me sende të forta në kokë dhe trup, por 42-vjeçari Sokol Bardhi është dërguar për të marrë mjekim në spitalin rajonal të Durrësit. Fillimisht ai ka marrë serum në urgjencë, ndërsa më pas është dërguar për të bërë grafi për shkak të goditjeve të shumta që ka marrë në trup. I plagosuri Petrit Balla është shprehur pas konfliktit se i kishin sulmuar njerëz të armatosur. “Na kanë qëlluar me automatikë dhe pistoleta. Na kanë goditur me qytë automatiku në kokë dhe kudo në trup. Janë aktivistët e PD-së, që erdhën dhe u vërsulën mbi ne, vetëm se po vendosnim flamujt e zyrës elektorale të kandidatit tonë” - tha Bardhi për mediat. Policia e Durrësit, e mbërritur në vendngjarje, bëri me dije se po zhvillojnë hetimet për zbulimin e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale. Aktivistët e PS-së kanë dhënë dëshmitë në polici, duke pohuar se autorët e konfliktit fillimisht kishin qëlluar me armë drejt një kamionçine, që ka qenë e parkuar në vendin ku ka ndodhur përplasja. Dëshmitarët pohojnë se, për fat të mirë, në atë kohë nuk ka pasur persona në automjetin me targa DR 2638 D, ndërkohë që janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Policia ka bërë të ditur se janë shoqëruar në polici 4 persona për ngjarjen në fjalë dhe po punohet për të kryer edhe shoqërime të personave të tjerë të implikuar apo që kanë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Në lidhje me personat e lënduar, policia ka bërë të ditur se ata kanë pësuar kryesisht dëmtime të lehta (hematoma në fytyrë). Policia ka shtuar se i ka identifikuar tashmë autorët dhe po punon për kapjen e tyre. Dy personat e plagosur kanë bërë edhe kallëzimin penal për ngjarjen.