Eksplozivi te “Don Bosko”, kundër një ish-zyrtari të policisë
18/03/2005 Prokuroria dhe policia dyshimet më të forta lidhur me objektin e atentatit te “Don Bosko” i ka hedhur mbi një ish-zyrtar të lartë të policisë. Por edne nuk është përjashtuar mundësia se ky atentat mund të kishte si objekt nënën e Banos. Burime të policisë kryeqytetase thanë dje për gazetën se dyshohet që objekt i atentatit të ketë qenë një ish-zyrtar i policisë emri i të cilit nuk bëhet i ditur për efekt të sigurisë së tij. Nga burimet mësohet se ky ish-zyrtar i policisë pas viteve ’97 deri në vitin 2000 ka organizuar një sërë operacionesh kundër bandave të krijuara gjatë kohës së trazirave. Burimet sqarojnë se një nga këto banda kriminale të armatosura që kanë qenë nën shënjestrën e operacioneve, ka qenë dhe ajo e Lushnjës. Për shkak të cilësive të veçanta të këtij ish-funksionari të policisë një pjesë e hetimit po kryhet nga struktura e Taks Forcës pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ndërsa fakti që tre të ndaluarit kanë pohuar se numri i gjetur në vendngjarje i përkiste një prej të akuzuarve si anëtar i “Bandës së Lushnjës”, e konfirmon plotësisht versionin se pas atentatit të dështuar ka qenë dora e këtij grupi. Por prokuroria ende nuk e ka hedhur poshtë versionin se atentati mund të ketë qenë drejtuar kundër nënës së Klenti Banos e cila dëshmoi në gjykatë. Sipas prokurorisë po hetohen të gjitha pistat e mundshme, po fakti se tashmë e ëma e Banos ka dëshmuar dhe është vetëm një e moshuar, i zbeh dyshimet se ajo mund të ketë qenë objekt i atentatit.