Tre lushnjarët u përgjuan me vendim gjykate në komisariat

18/03/2005 TIRANË – Mario Hasani, Elvis Pethi dhe Ardian Llapushi, nuk e dinin se disa orë pas ndalimit nga policia në shtëpitë e tyre në Dushk të Lushnjës, do të përgjoheshin në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Vendimi për përgjimin u mor nga prokurori i gatshëm në Prokurorinë e Rrethit Tiranë. Ndërkohë që tre të ndaluarit, të cilët u vunë në pranga si persona që kishin dijeni për një ngjarje të ndodhur në lagjen "Don Bosko", ishin të mirinformuar për mënyrën e operimit të policisë. Të ndaluarit janë përgjuar dhe në shiritin e kasetës së incizimit ndodhen zërat e tyre së bashku me disa fjali jo shumë të qarta. Nuk kanë treguar emra konkretë, madje kanë porositur njëri-tjetrin të mos identifikonin numrin e telefonit që ndodhej në kartën e secilit. Tashmë, Prokuroria ka në dosje një provë. "Dëgjoni, të jemi të gjithë në një mendje. Askush të mos tregojë se i kujt është numri i telefonit". Këto janë fjalët që kanë thënë të ndaluarit në polici gjatë përgjimit. Vendimi për përgjimin i Prokurorisë, të mërkurën është paraqitur në gjykatë dhe është miratuar. Menjëherë pas përgjimit, të ndaluarit janë arrestuar nga Prokuroria dhe janë marrë në pyetje me cilësinë e personave, ndaj të cilëve zhvillohen hetime. Sipas burimeve nga organi i hetimit, bëhet e ditur se tre të ndaluarit, tashmë të arrestuar, e njohin personin që u hodh në erë me granatën që mbante në dorë gati për shpërthim. Burimet shprehen se tre të ndaluarit dhjetë ditë rresht para se të ndodhte shpërthimi, kanë komunikuar me viktimën. Por në telefonat e tyre nuk është identifikuar emri i personit. Policia ka arritur të identifikojë numrat e telefonit që kanë patur thirrje me viktimën në rrugë operative. Fillimisht janë marrë numrat në kartën telefonike të gjetur pranë trupit të viktimës. Më pas me këto numra kanë punuar persona operativë. Është bërë identifikimi i thirrjeve dhe emrave të personave që kishin folur me viktimën. Gjithsesi në momentin e marrjes në pyetje, të ndaluarit nuk kanë pranuar të kenë njohje me viktimën. Sot të dyshuarit si persona që kanë dijeni për ngjarjen e ndodhur te "Don Bosko", do të paraqiten në gjykatë për të marrë masën e arrestit. Dosjen e tyre e ka në dorë prokurori Besnik Muçi, i cili ka sjellë në gjykatë edhe vendimin e përgjimit.