Eksportet drejt Italisë, në 7 muajt e parë 43.1 miliardë lekë
Italia vazhdon të mbetet partneri kryesor tregtar për Shqipërinë, çka do të thotë se prodhuesit shqiptarë vazhdojnë të gjejnë hapësira për tregtimin e mallrave në këtë vend. Nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave, edhe për muajin korrik 2008, eksportet zunë 61.4 për qind të totalit të eksporteve shqiptare dhe importet, 27.7 për qind. Të dhënat tregojnë se, eksportet shqiptare drejt vendit fqinj në 7-mujorin e vitit 2008, arritën vlerën e 43 miliardë e 112 milionë lekëve, duke rezultuar në këtë mënyrë 2 miliardë e 635 milionë lekë më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Vlera e importeve të mallrave nga Italia në Shqipëri në këtë periudhë, llogaritet në rreth 65 miliardë e 347 milionë lekë, nga 58 miliardë e 213 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Në strukturën e mallrave të importuara nga shteti fqinj, vendin kryesor e zënë makineritë dhe pajisjet teknologjike për industritë e reja dhe për rinovimin e atyre ekzistuese nga sipërmarrësit privatë shqiptarë, por dhe për sipërmarrësit italianë, që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Importet për këto kategori, arritën në 7 muajt e parë të vitit 2008 vlerën e mbi 15 miliardë e 579 milionë lekëve. Për vlerën e mallrave të eksportuar drejt shtetit fqinj, vendin kryesor e zë grupi "tekstile dhe këpucë", i cili në 7-mujorin e parë, arriti vlerën e mbi 26 miliardë e 340 milionë lekëve.
Italia, financuesja kryesore për projektet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme
Italia është një prej financueseve kryesore të projekteve për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme ose “SME”-ve në Shqipëri. Gjithashtu ajo është dhe financuesja kryesore për ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve të ngurta, për disa projekte në fushën e zhvillimit të sektorit të shëndetësisë, të arsimit, etj. Politikat pro biznes dhe për zhvillimin e SME-ve të ndërmarra nga qeveria, kanë ndikuar në rritjen e eksporteve shqiptare drejt vendeve të tjera. Regjistrimi i biznesit tashmë në një zyrë të vetme, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ka bërë të mundur që numri i bizneseve të reja të regjistruara pranë QKR-së në 7 muajt e parë të vitit 2008, të arrijë në 14.332 subjekte, një numër më i lartë se i gjithë viti 2006, apo 2007 kur u regjistruan gjithsej 11.700. Në këtë periudhë, në Shqipëri janë hequr 104 licenca dhe leje, nga 166 licenca dhe leje që ekzistonin, duke e rreshtuar sot Shqipërinë në një prej vendeve me numër më të vogël të lejeve dhe licencave në Europë e më gjerë. Fillimi i vitit 2009 pritet të gjejë vendin edhe me një "One-Stop-Shop" tjetër, vetëm për lejet dhe licencat. Në raportin "Të bësh biznes në Evropen Juglindore 2008" të Bankës Botërore nxirret në pah progresi që ka bërë Shqipëria në drejtim të renditjes së lehtësive për të bërë biznes, ku koha për fillimin e një biznesi është reduktuar nga 36 në 1 ditë.
Pasuritë minerare, rritet ndjeshëm kërkesa për licenca shfrytëzimi
Ritmet e investimeve vendase dhe të huaja në sektorin e industrisë minerare, i cili është plotësisht i privatizuar, po rriten dukshëm dhe me efikasitet. Burime të ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, bëjnë të ditur se gjatë periudhës Janar-Gusht, 2008, u dhanë 109 leje minerare, kundrejt 500 kërkesave (aplikimeve), që u shqyrtuan për këtë sektor. Burimet thanë se në vitin 2007, numri i zakonshëm i lejeve minerare të dhëna u dyfishua, duke arritur në 140 të tilla. Në të gjithë vendin, sipas METE-s, punojnë në aktivitetet minerare rreth 500 shoqëri minerare, të cilat zotërojnë rreth 650 leje minerare, me një sipërfaqe prej rreth 1700 km katrorë.
1 Shtator 2008