E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis rekrutimi i pedagogëve të rinj, ja si do të përzgjidhen



Jonida Tashi

Pas përfundimit të fazës së aplikimeve, dje ka nisur rekrutimi i pedagogëve të rinj në Universitetin e Tiranës. Burime nga ky universitet bëjnë të ditur se janë paraqitur më shumë se 350 aplikime, nga të cilat rreth 50 janë nga ata që janë diplomuar në universitetet e ndryshme europiane. Kreu i Universitetit të Tiranës sqaron se gjatë 15 ditëve të para të muajit shtator, në zbatim të ligjit, do të krijohen komisionet përkatëse, që kanë një specifikë. Kështu, për të gjitha pranimet që do të bëhen për pedagogët e rinj, do të krijohet një komision prej pesë vetash dhe pritet që në mesin e muajit shtator të mbyllet cikli i rekrutimit të stafit të ri pedagogjik në Universitetin e Tiranës.
Komisioni
Komisioni tre përfaqësues i ka nga departamenti ku do të pranohen pedagogët e rinj, një përfaqësues e ka të dekanatit dhe një të rektoratit. Sivjet, në Universitetin e Tiranës do të pranohen 160 pedagogë të rinj. Sipas kësaj rritjeje të stafit pedagogjik, Universiteti i Tiranës do të ketë 20 për qind më shumë staf për të përballuar fluksin e studentëve të rinj. Megjithëse, Universiteti i Tiranës ka vendosur kritere cilësore për rekrutimin si, notën mesatare, sipas drejtuesve të tij, kërkesat për t’u pranuar si staf pedagogjik në fakultetet e tij janë të larta. Kështu, në Universitetin më të madh në vend do të ketë fakultete ku do të dyfishohet stafi, si për shembull Fakulteti Juridik nga 30 do të bëhet me 60 pedagogë. Për Fakultetin Juridik, deri në ditët e fundit të aplikimeve janë paraqitur rreth 80 aplikime për pedagogë. Universitetet kanë përcaktuar kriteret për përzgjedhjen e pedagogëve të rinj, që do të bëhet sipas kuotave përkatëse të kërkuara nga drejtuesit e çdo fakulteti. Me shpalljen e kritereve janë përcaktuar edhe kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët për të qenë të përzgjedhurit.
Kriteret
Kriteret e vendosura nga UT-ja kërkojnë rritjen e nivelit profesional të kandidatëve dhe janë kërkesat më të larta që duhet të përmbushë një kandidat për të qenë pjesë e stafit akademik të fakulteteve. Kriteret e përgjithshme të përzgjedhjes në tetë fakultetet e UT-së konsistojnë që kandidatët konkurrentë duhet të jenë të diplomuar në fushën përkatëse brenda dhe jashtë vendit. Nota mesatare e studimeve për pranimin e kandidatëve duhet të mbi 9-të për studentët që kanë mbaruar një fakultet brenda vendit. Ndërsa për kandidatët që kanë përfunduar universitetet e huaja mesatarja e studimeve duhet të jetë mbi 8-të. Secili nga departamentet në fakultetet e UT-së ka vendosur kritere të veçanta. Disa prej fakulteteve kërkojnë që aplikantët të kenë marrë medalje ari brenda vendit apo jashtë tij. Njëkohësisht kërkohet që kandidatët të kenë punuar si lektor në një nga fakultetet e huaja dhe të kenë publikimet e tyre brenda fakultetit. Kriter kryesor është edhe mosha e pranimit për t’u bërë pedagog i ardhshëm. Gjithashtu, fakultetet kanë paraqitur edhe vendet e lira, që janë të domosdoshme për t’u plotësuar.

Vendet e lira për pedagogë në fakultete
10 vende të lira ka përcaktuar Fakulteti i Histori-Filologjisë
35 vende të lira ka përcaktuar Fakulteti i Ekonomisë
23 vende të lira ka përcaktuar Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
30 vende të lira ka përcaktuar Fakulteti i Drejtësisë
15 vende të lira ka përcaktuar Fakulteti i Shkencave Natyrore
21 vende të lira ka përcaktuar Fakulteti i Shkencave Sociale
16 vende të lira ka përcaktuar Fakulteti i Infermierisë
10 vende të lira ka përcaktuar Fakulteti i Mjekësisë

1 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›