Eksporti, KESH siguron 13 milionë euro
KESH po eksporton energji drejt Kosovës dhe Greqisë dhe kjo si pasojë e situatës së mirë hidrike në vend. Deri më tani, KESH ka arkëtuar 13 milionë euro nga eksporti i energjisë drejt vendeve fqinje. Falë situatës së mirë hidrike, korporata ka ndërprerë që në fillim të muajit importin dhe falë reshjeve të bollshme po furnizon të gjithë vendin me energji nëpërmjet prodhimit vendas. “Situata hidrike paraqitet shumë e mirë, KESH për momentin po furnizon me energji të gjithë konsumin shqiptarë dhe është duke eksportuar energji në Greqi dhe në Kosovë në kohë piku, si dhe përmirësimin e bilancit eksport-import të ekonomisë shqiptare. Gjithashtu ndihmon edhe KESH-in nga ana financiare”, u shpreh dje kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi. Po dje, Drejtori i Përgjithshëm i Korporatës ka prezantuar edhe studimin e kryer nga kompania franceze SOGRA, për lumenjtë e Vjosës, Drinit të Zi dhe Semanit, ky është edhe studimi i parë i integruar për lumenjtë tanë në 20 vitet e fundit. Sipas kreut të KESH-it, studimi do të pasohet nga projekte konkrete, veçanërisht për lumin Vjosë që ka kapacitet për t’u kthyer në kaskadën e dytë më të rëndësishme në vend, duke prodhuar rreth 40 për qind të sasisë së energjisë që prodhohet nga kaskada e Drinit. Kështu në total mbi këta lumenj mund të instalohet një fuqi prej 721 mega vatësh, ndërsa kapaciteti prodhues arrin deri në 2,8 miliardë kilovat orë. Vjosa kthehet në kaskadën e dytë pas Drinit për nga fuqia, ndërsa hidrocentralet që mund të ndërtohen mund të shkojnë në tre. “Kaskada e Vjosës do të bëhet e dyta për nga rëndësia për prodhimin e energjisë”, tha Bojaxhi. Ai theksoi se në zonat që janë shpallur monumente kulture nuk do të aplikohet teknologjia e digave, ndërsa për tokat bujqësore që mund të përmbyten do të bëhet një llogaritje e mirë mbi përfitimet ekonomike. Studimi do t’i kaloje për miratimin qeverise shqiptare dhe do të jetë ajo që vendos nëse do të ndërtohen hidrocentrale të reja në këto lumenj.