Operatori i IV celular, Komisioni e voton me mungesë kuorumi
Maxhoranca voton me mungesë kuorumi marrëveshjen për dhënien e celularit të katërt telefonik. Tetë deputetë të maxhorancës të komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, nga nëntë që duhet të ishin prezent, votuan pro projektligjit të ri të qeverisë “Për dhënien e së drejtës së përdorimit, për 15 vjet, në brezin e frekuencave E-GSM dhe GSM 1800, bashkimin e ofertuesve, përfaqësuar nga Postë Telekomunikacioni i Kosovës, sh.a, sipas procedurës ‘tenderi i hapur’ ndërkombëtar”. Komisioni Veprimtarisë Prodhuese ka gjithsej 16 deputetë, në bazë të nenit 34 të Rregullores, që mbledhja të quhet e vlefshme duhet të jenë mbi 50 për qind e tyre. Në mbledhjen e pasdites së djeshme morën pjesë vetëm deputetët e maxhorancës, Rexhep Uka, Engjëll Cara, Frrok Gjini, Idriz Xhomara, Sami Gjergji, Gjok Vuksani dhe Galip Ramadhi. Këta dy deputetët e fundit ishin si zëvendësues, pasi nuk janë anëtarë të përhershëm të komisionit të Veprimtarisë Prodhuese. Pavarësisht kësaj, komisioni ka nisur shqyrtimin e këtij projektligji, i cili nxjerr fitues PTK-në, së bashku me një grup biznesmenësh shqiptarë për operatorin e katërt celular, për ofertën prej 7.2 milionë eurosh. Përfaqësuesja e Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, Alketa Mukavelati deklaroi se “kjo ishte oferta më e mirë dhe plotësonte të gjitha kërkesat, përballë asaj të Universal PG me 5 milionë euro”. Mukavelati hodhi poshtë idenë se ku operator tashmë fitues nga qeveria do të ketë të drejtën e shitjes së aksioneve. “Nëse këto aksione shiten brenda gjashtë muajsh, në bazë të kontratës, u hiqet e drejta e licencës dhe u bllokohen llogaria e derdhur prej 7.2 milionë eurosh”. Në votim e projektligjit në parim, deputeti i PDK-së, Frrok Gjini nuk mori pjesë në votim, duke theksuar se komisioni duhet të tërhiqte vendimin për mungesën e kuorimit. Por më pas, Gjini u kthye dhe votoi pro projektligjit, megjithë rezervat që kishte. Ai u shpreh se “u kthye për votim pasi mori vendim PDK-ja për të votuar pro”.