Ekspozita Onufri 2009 vjen me “Dëshmi dhe dëshira”
TIRANë- Të paktën 30 punime të artistëve shqiptarë do të ekspozohen sot në mbrëmje në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në çelje të edicionit të 16-të të konkursit më të rëndësishëm të arteve pamore në vend, "Onufri 2009".Gjatë një konference për shtyp sot paradite, organizatorët e Onufrit u shprehen mjaft të kënaqur për pjesëmarrjen e artistëve dhe punimet që ata do të ekspozojnë në këtë edicion të 16-të, me tematikë 'Dëshmi dhe dëshira'.Drejtori i GKA-së, Rubens Shima u shpreh sot se “Onufri e ka fituar tashmë statusin e tij si një ndër aktivitetet më të rëndësishme të arteve pamore. Këtë vit do të sjellim një risi siç është krijimi i një aneksi brenda ekspozitës për artistët e rinj. Kjo risi do të shndërrohet në edicionet e ardhshme në një traditë”. Kuratori i edicionit të 16-të të konkursit Onufri, Parid Teferiçi, njohës i mirë i arteve, u shpreh se “qasja e këtij viti ishte një thyerje e vijimësisë së këtij konkursi". Sipas tij, ky edicion i Onufrit konsiston në hulumtimin e artistëve në ndryshimin e sistemeve, duke i lënë të lirë të paraqesin problemet që ata kanë hasur. Lidhur me tematikën e edicionit të 16-të, kuratori tha se “tematika e zgjedhur 'Dëshmi dhe dëshira' ka si qëllim të shprehë lëvizjen mes dëshirës, vullnetit krijues dhe provës për ta dëshmuar atë”.Në konkursin Onufri 2009, që do të çelet sot në mbrëmje, do të paraqiten më shumë punime në pikturë sesa instalacione apo video. Pjesë e ekspozitës që do të qëndrojë e hapur deri më 24 janar të 2010 janë artistë shqiptarë të cilët jetojnë dhe punojnë si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij.(m.a/BalkanWeb)