E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveri-CEZ, bashkëjetesë e pamundur?

Enti Rregullator i Energjisë (praktikisht qeveria) e rriti çmimin e energjisë elektrike vetëm 13 për qind për vitin e ardhshëm. CEZ, kompania çeke që zotëron shumicën e aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë (ndërmarrja që furnizon me energji 3 milionë shqiptarët dhe bizneset në Shqipëri), kishte kërkuar rritje 23.1 për qind. Kjo rritje (13 përqindëshi) gati dy herë më e vogël ishte e papritur për CEZ. Menjëherë kompania kërkoi të përdorte garancinë që Banka Botërore kishte vënë në kohën e lidhjes së kontratës CEZ-Qeveri shqiptare për privatizimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë. Garancia është afro 60 milionë euro. Por, përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri shpjegoi këto ditë se që CEZ të prekë garancinë, kjo do të dojë shumë kohë. Banka është një institucion gjigant, dhe si i tillë, burokratik. Do kalojnë muaj sa të shqyrtohet kërkesa. Kurse CEZ ka nevojë urgjente për para. Ajo kishte menduar se qeveria do të miratonte rritjen e kërkuar prej saj. është përllogaritur nga ekspertë se vetëm një për qind rritje e çmimit sjell një shtesë për shitësin e energjisë prej afro 20 milionë eurosh. Dhe kjo, në rast se e gjithë energjia që konsumohet, faturohet dhe faturat paguhen (një situatë që i ngjan një ëndrre në diell në Shqipëri). Pra, me rritjen vetëm 13 për qind të çmimit, CEZ-it i mungojnë afër 200 milionë dollarë për investimet e saj këtu dhe për të realizuar një fitim. Kjo në rastin më ideal. Janë të gjitha arsyet e botës që CEZ të jetë e nervozuar. Kur ministri ynë i Ekonomisë doli në publik dhe tërhoqi vëmendjen me të drejtë për ndërprerjet disa herë të pajustifikuara të energjisë, CEZ reagoi fort. është e vërtetë që brenda sistemit shpërndarës mund të ketë teknikë të papërgjegjshëm që për t’i marrë ndonjë gjobë ndonjë biznesi, ndërpresin energjinë në ndonjë pjesë lagjeje apo në ndonjë zonë sipërmarrjesh. Por nuk është aspak në interesat tona kombëtare t’i acarojmë punët me firmën çeke. çekët janë seriozë. Kështu kanë qenë gjithnjë, edhe nën thundrën e dikurshme të Bashkimit Sovjetik. Janë të shumtë shqiptarët që ende e mbajnë mend cilësinë e automjeteve apo makinerive çeke. Mirëpo, disa punonjës në strukturat tona shtetërore mendojnë se kjo kompani ka ardhur këtu për të realizuar fitim të majmë abuziv. Ndoshta një frymë e tillë e sëmurë kundër të huajve investues mund të jetë futur madje edhe brenda vetë Entit Rregullator të Energjisë. Do të bënim harakiri po ta konsideronim kështu në tërësi si qeveri kompaninë çeke. Pse CEZ është shtrirë dhe në shumë vende të tjera, si në Bullgari, Rumani, Serbi etj. Për të marrë ndërmarrjen tonë shtetërore shpërndarëse të energjisë, CEZ pagoi kesh në dorë 102 milionë euro. Jo pak. Pa dyshim është një investitor shumë i rëndësishëm dhe strategjik. Nuk na leverdis ta paragjykojmë. I kemi dhënë në duar një patate të tejnxehur (sistemin tonë defektoz të shpërndarjes së energjisë) dhe CEZ po ndjen t’i digjen duart. Ka ekspertizë, ka para për të investuar, ka specialistë çekë të zotë, por i ka hipur një kali me shumë huqe. E telendisur nga vërtikët e tij (nga mosfaturimi ose abuzimet me faturat të shumë faturuesve shqiptarë, nga puna e mefshtë e shumë elektricistëve me riparimet dhe kujdesi ndaj pajisjeve etj.), CEZ i kishte varur të gjitha shpresat tek shtrenjtimi i fortë i çmimit të energjisë për vitin 2010. Tani që kjo nuk u realizua, CEZ është në vështirësi. Qeveria nuk mund të fërkojë duart si Pons Pilati. T’i thotë: “Ti e hëngre mike, nënshkrove kontratën, pagove paratë, tani vrit veten me sistemin tonë shpërndarës të energjisë. Ne duam të respektohet kontrata!”. CEZ duhet të ndihmohet që të rimëkëmbet dhe të dalë gradualisht me fitim në tregun shqiptar, në interesin e të gjithë ne qytetarëve të këtij vendi. A ka qeveria ndonjë mënyrë për ta ndihmuar pa prekur qytetarët dhe pa ngarkuar buxhetin e shtetit? Ndoshta për një periudhë dy-trevjeçare mund të zbatojë për CEZ një politikë favorizuese fiskale. Ndoshta ka edhe mënyra të tjera (garanci qeveritare etj). Qeveria jonë duhet të jetë e para që duhet t’i shtrijë dorën CEZ-it. Në të mirë të të gjithë qytetarëve të saj. Kurrsesi nuk mund të rrijë indiferente. Në rast se CEZ detyrohet të shpallë falimentimin në Shqipëri, do të humbnim më shumë ne si vend se sa vetë kompania çeke.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›