Ekspozita “Onufri 2009”, vjen me punimet e 32 piktorëve
Izaura Ndoj
Konkursi më i rëndësishëm i artit pamor ka çelur mbrëmë si çdo fundvit edicionin e tij të 16-të. Nën titullin: “Dëshira dhe dëshmië”, gara, e cila këtë edicion kurohet nga poeti dhe piktori Parid Teferiçi. Drejtori i GKA-së, Rubens Shima gjatë konferencës për shtyp shprehu se “Onufri e ka fituar tashmë statusin e tij si një ndër aktivitetet më të rëndësishme të arteve pamore. Këtë vit do të sjellim një risi siç është krijimi i një aneksi brenda ekspozitës për artistët e rinj. Kjo risi do të shndërrohet në edicionet e ardhshme në një traditë”. Kuratori i edicionit të 16-të të konkursit Onufri, Parid Teferiçi, njohës i mirë i arteve, u shpreh se “qasja e këtij viti ishte një thyerje e vijimësisë së këtij konkursi”. Sipas tij, ky edicion i Onufrit konsiston në hulumtimin e artistëve në ndryshimin e sistemeve, duke i lënë të lirë të paraqesin problemet që ata kanë hasur. Lidhur me tematikën e edicionit të 16-të, kuratori tha se “tematika e zgjedhur 'Dëshmi dhe dëshira' ka si qëllim të shprehë lëvizjen mes dëshirës, vullnetit krijues dhe provës për ta dëshmuar atë”. Më tej Paridi theksoi se edicioni i 16-të është përqendruar vetëm tek artistët shqiptarë, duke thyer kështu traditën e një konkursi ndërkombëtar. E bashkë me këtë ndryshim, edicioni i 16-të sjell më shumë gjininë e pikturës sesa zhanret e tjera. Janë 32 artistë ata që marrin pjesë në “Onufri” dhe mes tyre ka emra artistësh të njohur. Teferiçi kuratori i “Onufri 2009” tregon rreth prurjeve të këtij viti, dhe vështirësive që ka patur për të zgjidhur rolin e kuratorit, por jo të diktuesit, duke mos caktuar asnjë koncept rreth ekspozitës, por duke pasur aleat të tij kuriozitetin se çfarë ndodh realisht në artin pamor shqiptar sot. “ Ndonjëherë dukej sikur prania e tyre turbullonte peizazhin aktual të artit në Shqipëri dhe justifikonte cilësinë e dyshimtë estetike të punëve të tjera”, shpjegon Teferiçi. Disa nga emrat e artistëve pjesëmarrës flasin për: piktorin Gazmend Leka dhe "triptikun që shënon një fazë të re në trajektoren e tij artistike"; Hasan Nallbanin dhe "rikthimin e tij tek tema e erotizmit"; Vladimir Myrtezain që prezantohet me një video-instalacion; piktorin Zini Veshi që vjen nga Amerika dhe artistët e rinj Enkelejd Zonja dhe Genti Pipa. Sivjet konkursi është punuar pa një koncept kuratorial, me një titull “Dëshira dhe dëshmi”, Teferiçi shpjegon se “Do të ketë njëlloj rikthimi të pikturës dhe në këtë pikë isha i qartë që kur grupi organizator më besoi kurimin e ekspozitës. “Onufri” aktiviteti më i madh i artit pamor në harkun e një viti do të presë vizitorët për më shumë se një muaj nga data 24 dhjetor 2009 deri më 4 shkurt 2010. Gjinitë me të cilat artistët marrin pjesë në këtë ekspozitë konkurruese janë të ndryshme. Në të marrin pjesë rreth 32 artistë, që i përkasin tri kategorive: artistë me përvojë në artin pamor, që njihen për stilin e veçantë të tyre; të rinj që jetojnë jashtë vendit dhe që sjellin përvojat e tyre në këtë ekspozitë; dhe studentët e Akademisë së Arteve, përçuesit e ideve të reja. Artistët pjesëmarrës në Onufri XVI, janë;Robert Aliaj, Ervin Bërxolli, Albion Bogdani, Donika Çino, Klodian Dedja, Anjeza Dyrmishi, Najada Hamza, Eugert Hykaj, Edmond Gjikopulli, Gentian Gjikopulli, Yllka Gjollesha, Gjelosh Gjoka, Helidon Haliti, Entela Hoxha, Ziso Kamberaj, Blerta Kambo, Greta Lami, Olson Lamaj, Gazmend Leka, Elsa Martini, Gazmend Muka, Fatmir Musai, Vladimir Myrtezai, Hasan Nallbani, Sokol Peçi, Gent Pipa, Gëzim Tafa, Zihni Veshi, Pleurad Xhafa, Aldi Zgjani, Enkelejd Zonja. Një risi e ekspozitës vjetore “Onufri 2009”, është përfshirja për herë të parë e një përzgjedhjeje studentësh të Akademisë së Arteve që marrin pjesë pa qenë në konkurrim për çmim. Kjo përzgjedhje i është besuar artistit Gentian Shkurti i cili i ka dhënë mundësinë e ekspozimit tre studenteve të Akademisë së Arteve , Donika Çino, Entela Hoxha dhe Anjeza Dyrmishi të ekspozojnë krahas artistëve të afirmuar të skenës dhe të pasqyrojnë zhvillimiet në institucionin formues artistik. Kjo risi do të bëhet pjesë edhe e edicioneve të ardhshme të Onufrit dhe i shërben nxitjes artistike të më të rinjve dhe integrimit të tyre në skenën e artit të vendit. Vëzhgimi i prurjeve studentore i është lënë në dorë Gentian Shulit, që sipas Teferiçit, është një artist shumë aktiv, i njohur për synimin e veçantë që ka për të pikasur talentet e reja. “Onufri”, i organizuar për herë të parë në vitin 1993, mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës së shekulli XVI. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 4 shkurt 2010.
25 Dhjetor 2009