E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarësimi në NATO, si do të konvertohen pagat e 3600 ushtarakëve

Anëtarësimi i Ushtrisë shqiptare në NATO ka përcaktuar jo vetëm ndryshimet që do të pësojë struktura e saj, por edhe pagesa e ushtarakëve. Kështu, pas ndryshimit që do të pësojë ligji, ushtria shqiptare do të jetë më e vogël në numër, e trajnuar mirë, e lëvizshme dhe vitale. Janë përcaktuar dhe funksionet për më shumë se 3600 ushtarakët e parë që do të preken nga konvertimi i pagesave sipas ushtarakëve të NATO-s. Ndërsa përsa i përket pagesës së ushtarakëve, majori, nënkoloneli, koloneli, me daljen në reformë, duhet të paguhen sipas kontributit të dhënë.
Pagesa
Në ligjin e ndryshuar ushtarakët do të paguhen sipas karrierës që kanë pasur. Ushtarakët e Forcave të Armatosura, kur të dalin në lirim apo në pension, do të marrin atë kontribut që u takon për kohën që kanë shërbyer në ushtri dhe do të integrohen më mirë në jetën civile. Këto janë disa nga pikat kryesore ku pritet të fokusohet reforma në Ushtri, e cila do të ndihmojë në përgatitjen e saj sipas standardeve për t’u anëtarësuar në NATO. Përfitues nga kjo reformë do të jenë më së shumti ushtarakët aktivë si dhe ata që janë nxjerrë në lirim nga shteti. Por, përveç efekteve pozitive në përfitimet e tyre financiare, reforma e NATO-s për modernizimin e Ushtrisë shqiptare pritet të shoqërohet edhe shkurtime të vendeve të punës.
Përfitimet
Përveç pagës bazë, ushtarakët në NATO dhe në misionet e tjera trajtohen edhe me pagë për gradë dhe shtesë për përfaqësimin e tyre. Për herë të parë pagat e këtyre ushtarakëve jepen në valutë. Pagesat për ushtarakët që shërbejnë në vendet e Europës, bëhen në euro, ndërsa për vendet e tjera në dollarë (USD). Gjithashtu, parashikohet që paga e atasheve ushtarakë t’i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat personale sipas legjislacionit në fuqi. Nga ana tjetër, kjo pagë mujore i nënshtrohet rishikimit në të njëjtën formë, si të gjitha kategoritë e tjera të pagave në vend. Por, përveç kësaj page, atashetë ushtarakë përfitojnë edhe kompensim për koston e jetesës, duke nisur nga 300 USD në muaj për vendet e grupit të parë deri në 150 USD në muaj për vendet e grupit të pestë. Fondet për pagesat e atasheve ushtarakë do të përballohen me fondet e Ministrisë së Mbrojtjes, pasi shteti shqiptar duhet t’u krijojë kushte sa më dinjitoze ushtarakëve shqiptarë për përmbushjen e detyrave të tyre jashtë vendit.

Kompensimi që përfiton ushtaraku për koston e jetesës:
300 euro/USD, për vendet e grupit të parë
260 euro/USD, për vendet e grupit të dytë
230 euro/USD, për vendet e grupit të tretë
200 euro/USD, për vendet e grupit të katërt
150 euro/USD, për vendet e grupit të pestë

Ndryshimet sipas NATO-s

Tendenca për pensionet e ushtarakut, përfshirë në statusin e ushtarakut, bazohet në standardet e NATO-s

Ushtria të jetë e vogël në numër, e mirëtrajnuar, e lëvizshme dhe vitale

Majori, nënkoloneli, koloneli me daljen në reformë duhet të paguhen sipas kontributit të dhënë

Ushtarakët duhet të paguhen sipas karrierës që kanë pasur

Ushtarakët e Forcave të Armatosura kur të dalin në reformë apo në pension, do të marrin atë kontribut që u takon për kohën që kanë shërbyer në ushtri dhe do të integrohen më mirë në jetën civile

Pagat e atasheve ushtarakë shqiptarë në përfaqësinë e NATO-s
Pagesa e detajuar që nga grada “Gjeneral-lejtënant” deri në gradën “Nëntetar”

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të shoqërohet me kostot e veta, pasi qeveria ka vendosur të hapë përfaqësinë e saj në Bruksel, ku një staf i madh atashesh ushtarakë shqiptarë do të punojnë aty. Pagat dhe mënyra e vlerësimit të këtyre ushtarakëve shqiptarë në përfaqësinë tonë të NATO-s në Bruksel janë përcaktuar dhe shpallur tashmë me vendim qeverie dhe kanë hyrë në fuqi. Këshilli i Ministrave ka miratuar tabelën analitike të pagave dhe shtesave në paga sipas vjetërsisë për të gjithë atashetë ushtarakë shqiptarë në përfaqësinë tonë pranë NATO-s në Bruksel. ”Efektet financiare për vitin 2009, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet buxhetore të këtij viti, të planifikuara për Ministrinë e Mbrojtjes. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 maj 2009”, - shkruhet në vendimin e qeverisë.
Kostot
Hapja e selisë së përhershme në NATO pritet t’i kushtojë shtetit shqiptar të paktën 480 mijë euro në vit. Qeveria mori disa muaj më parë vendimin për hapjen e përfaqësisë së përhershme të Republikës së Shqipërisë pranë selisë së NATO-s në Bruksel, duke shtuar edhe numrin e punonjësve në këtë përfaqësi. Në vendimin e saj, qeveria ka përcaktuar numrin ushtarakëve dhe gradat e tyre. Gjithsej do të jenë 13 ushtarakë dhe punonjës që do të punojnë në selinë tonë të NATO-s në Bruksel. “Në përfaqësinë e përhershme të Republikës së Shqipërisë funksionon përfaqësia ushtarake, e cila përbëhet nga: përfaqësues ushtarakë në NATO, gjeneral major; zëvendës/përfaqësues kolonel; oficer shtabi për inteligjencën, nënkolonel; oficer shtabi për operacionet e stërvitjen, nënkolonel; oficer shtabi për logjistikën, nënkolonel; oficer shtabi për planifikimin, nënkolonel; oficer shtabi për komunikim/standardizim, nënkolonel; oficer shtabi për komitetet politiko-ushtarake të NATO-s dhe koordinimin me BE-në, nënkolonel; oficer shtabi për mbrojtjen ajrore, nënkolonel; specialist për administrimin/ financë/protokoll, major, nënoficer për administrimin/ sekretar/operator, kapter; nënoficer për regjistrin, rrjetin e klasifikuar, kapter; shofer/adjutant”, - thuhet në vendimin paraardhës të qeverisë. Ushtarakët do të emërohen dhe lirohen nga detyra në përfaqësinë ushtarake nga ministri i Mbrojtjes. “Efektet financiare vjetore për mbështetjen e përfaqësisë ushtarake në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë selisë së NATO-s, Bruksel, janë në shumën 480 000 euro. Efektet financiare shtesë për vitin 2009 janë në shumën 280 mijë euro.

Tabela e pagave të atasheve ushtarakë shqiptarë në përfaqësinë e NATO-s

Emërtimi Paga në euro Paga në dollarë Shtesa për përfaqësimin (në%)
Përfaqësitë e NATO-s
Gj.lejtënant 1170 1410 75%
Gj.major 1145 1365 60-75%
Gj.brigade 1070 1285 60-75%
Përfaqësitë e tjera
Kolonel 960 1165 40-60%
Nënkolonel 910 1100 40-60%
Major 865 1050 40%
Kapiten 805 1020 40%
Toger 760 925 40%
Nëntoger 705 875 40%
K/kapter 760 925 40%
Kapter 680 820 40%
Rreshter 560 655 40%
Tetar 455 560 40%
Nëntetar 405 505 40%

25 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›