Plasari pritje për përfaqësuesit të medias
Drejtori i Biblotekës Kombëtare, Dr. Aurel Plasari dha një pritje për përfaqësues , drejtues dhe gazetarë të kulturës së medias shqiptare në Biblotekën Kombëtare, në kuadër të festave të fund vitit. Në fjalën e tij Plasari shprehu mirënjohje të veçantë dhe vlerësim për punën e palodhshme të gazetarëve të kulturës dhe mediave përfaqësuese. Më tej ai tha se Bibloteka Kombëtare për vitin 2009 ka bërë hapa galopant, si në nënshkrimin e marrëveshjeve të shumta ashtu edhe në bashkëpunimet me vendet e tjera. Gjatë këtij viti është nënshkruar Memorandumin i Mirëkuptimit mes Konferencës së Bibliotekave Kombëtare të Europës, të përfaqësuar nga Dr. Elisabeth Niggermann, dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. “Me nënshkrimin e këtij memorandumi Biblioteka Kombëtare, nga ana e saj, ka marrë përsipër të integrojë bazën e të dhënave të veta, si edhe informacionin digjital, tanimë në linjë, në portalin e përbashkët të Bibliotekës Europiane brenda këtij viti, duke mundësuar kështu arritjen përmes rrjetit europian në burimet albanologjike, si dhe në gjuhën shqipe, të BKSh”, cilësoi Plasari. Gjithashtu kemi qenë pjesëmarrës në Konferencën Kombëtare të Bibliotekonomisë, një institucion kulturor-shkencor i përbashkët Shqipëri - Kosovë, i mbajtur 23 - 24 nëntor 2009, nën temën “Nga bibliografia te webografia e librit shqip”. Në këtë edicion, u trajtuan probleme që lidhen me rregullat e përshkrimit bibliografik në biblioteka, me standarde që përdoren sa në biblioteka, aq edhe në sfera të tjera të jetës akademike, me praktikat e punës bibliografike në të dy bibliotekat kombëtare, me metodat shkencore të kërkimit bibliografik, me risitë e përshkrimit bibliografik, me problemet dhe zhvillimet gjuhësore e kulturore me ndikim të drejtpërdrejtë në standardet bibliografike, me hartimin e bibliografive moderne përmes shfrytëzimit të teknologjisë kompjuterike, si dhe me aplikimin e metadatave alternative në ndërtimin e bibliografive”, theksoi Plasari. "Jam i bindur që Bibloteka Kombëtare në 2010 do të jetë një institucion plot risi” përfundoi Drejtori Plasari.
25 Dhjetor 2009