Rivotimi në Gjilan, Thaçi takim me ambasadorin Dell
Blerina Olldashi
Situata e paqartë për rivotim në komunën e Gjilanit, ka bërë që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ambasadori i SHBA-ve Kristofer Dell të zhvillojnë një takim për marrjen e një vendimi konkret. Më herët ambasadori Dell, i kërkoi KQZ-së që të rivotohej edhe në Gjilan. Lajmi për zhvillimin e takimit është bërë nga zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, i cili tha se vendimin për përsëritjen e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës e marrin Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si institucione të pavarura. Përsa i përket deklaratës së ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Kristofer Dell, se zgjedhjet duhet të përsëriten edhe në Gjilan, ashtu siç ka sugjeruar KZAP-i, Krasniqi tha se kjo deklaratë mbetet pak e paqartë, edhe pse sipas tij, Dell mbështet vendimin e KQZ-së. “Ne kemi komunikime të rregullta me Ambasadën amerikane dhe do të marrim mendimin e tij konkret, meqenëse nga deklarata mbetet e pak e paqartë se çka ka menduar të thuhet përmes kësaj deklarate, dhe në komunikimet e mëtejme besoj do të kemi detaje më të sakta”,- ka deklaruar Krasniqi. Edhe pse ambasadori Dell kërkoi rivotim edhe për Gjilanin, KQZ-ja nuk ndryshoi vendim. Fillimisht do të zhvillohen hetime dhe të rinumërohen votat, e pastaj të vendoset për rivotim eventual. Ndërkaq, ky komision paralajmëroi se së shpejti do të dilet me një pasqyrë kohore për rivotim në Prizren dhe Lipjan. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë hartoi një plan të hollësishëm nga sekretariati i këtij institucioni në lidhje me procesin përgatitor për përsëritjen e zgjedhjeve lokale në komunën e Prizrenit dhe atë të Lipjanit. Në mbledhjen e fundit të KQZ-së, data 24 janar 2010 u propozua si afat i mundshëm kohor për zhvillimin e zgjedhjeve në këto dy komuna, mirëpo vendimi final mbi këtë çështje do të merret në mbledhjet e radhës të këtij komisioni. Me gjithë paralajmërimet për rishqyrtimin e vendimit për komunën e Gjilanit, kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se vendimi që, për këtë komunë fillimisht të zhvillohen hetime dhe të bëhet rinumërimi i votave, e pastaj, eventualisht, të vendoset për rivotim, mbetet i pandryshuar. “Ne duhet, siç kemi vendosur, të bëjmë hetime dhe rinumërim sa i përket komunës së Gjilanit. Vetëm në rast se hetohen shkelje aq të rënda, sa që ka nevojë për rivotim edhe në këtë komunë, atëherë do të shkojmë në rivotim”, tha Lushta.
25 Dhjetor 2009