E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Senati voton ligjin për reformën shëndetësore

30 milionë persona më tepër në Shtetet e Bashkuara mund të kenë mbulim të shpenzimeve mjekësore. Reforma shëndetësore në Shtetet e Bashkuara e kërkuar nga presidenti Obama dhe e kundërshtuar fort nga republikanët, mori dritën jeshile nga Senati. Demokratët e Senatit votuan për të bllokuar debatin mbi reformën. Kështu tekstit i duheshin 60 vota, ndaj 58 “pro”-ve të demokratëve, iu shtuan edhe dy të senatorëve të pavarur, kundrejt 39 “kundër” të republikanëve të pranishëm. Plani Obama që do të kushtojë miliarda dollarë në harkun e 10 viteve të ardhshëm mori rrugë.

Suedi
Bildt: “2009-ta, viti që afroi Ballkanin me BE-në”

Ministri suedez i Punëve të Jashtme, Karl Bildt vlerësoi se ky vit ka qenë vit i hapjes dhe përparimit drejt Bashkimit Europian për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç për BeH-në. “Sukseset janë të dukshme në hyrjen në fuqi të Marrëveshjes kalimtare për tregti me Serbinë, në ndërprerjen e bllokimit slloven në negociatat kroate, në avancimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë si dhe me shenjat për zgjidhje të kontestit midis Athinës dhe Shkupit për emrin për Maqedoninë”, tha Bildt në Stokholm.

Greqi
Parlamenti miraton buxhetin për vitin 2010
Parlamenti grek miratoi buxhetin e 2010 në mes të një krize që ka përfshirë vendin. Ky buxhet synon të reduktojë deficitin publik si hap i parë drejt lehtësimit të borxheve të mëdha që ka vendi si pasojë e krizës financiare. Buxheti u miratua nga 160 ligjvënës të Partisë Socialiste, nga gjithsej 300 deputetë që ka parlamenti. Plani ka si objekt të reduktojë në deficitin buxhetor ne 9.1 për qind të prodhimit të brendshëm në 2010, në krahasim me 12.7 për qind që është . Buxheti hasi në kritika të opozitës, që thonë se plani nuk ndihmon në daljen nga kriza.

Filipine
20 vetë të humbur nga përplasja e anijeve

Rreth 20 vetë rezultojnë të humbur në Filipine pasi një traget pasagjeresh u përplas me një anije peshkimi në gjirin e Manilës. Në vendngjarje më shumë se 46 vetë janë shpëtuar dhe kërkimi për të mbijetuarit vazhdoi për orë me radhë. Menjëherë në ndihmë të të mbijetuarve u vunë personat e ndihmës së shpejtë, të cilët përshkruan situatën si shumë tragjike. Të dyja anijet janë mbytur si rezultat i përplasjes. Rrethanat e sakta të aksidentit ende nuk janë të qarta. Ka pasiguri për numrin e saktë të njerëzve në të dyja anijet.

25 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›